Partia pro-evropiane përparimtare serbe në pushtet, fitoi mbi 48 % të votave në zgjedhjet parlamentare të parakohshme që u mbajtën dje, duke fituar bindshëm. Fitorja i ofron mundësinë kësaj partie të menaxhojë në mënyrë të pavarur qeverinë. Mediat serbe kanë raportuar se kjo fitore e Vuçiqit është akoma më bindëse se sa ajo e Sllobodan Millosheviqit në vitet '90. Sipas Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, Partia Përparimtare Serbe do të marrë 160 nga 250 vendet në parlament.
"Qëllimi im nuk është që të pasurohem. Qëllimi im është që njerëzit në Serbi të jetojnë më mirë", tha Aleksandar Vuçiq, udhëheqës i PPS-së.
I dyti në garën zgjedhore u radhit koalicioni SPS-PUPS-JS me 13.6% të votave ose me 44 deputetë. E treta, Partia Demokratike me 6.3% të votave, ndërsa NDS-ja e Boris Tadiq fitoi 5.7% të votave. Sipas mediave serbe, në parlamentin e ri serb do të jenë për herë të parë edhe dy shqiptarë. Nga Partia për Veprim Demokratik fitoi kryetari Riza Halimi dhe anëtari i kryesisë së saj Shaip Kamberi. Nga fitorja bindëse e Vuçiqit, qytetarët sot nëpër Beograd shpreheshin optimist për të ardhmen.
"Fitoi Vuçiqi. Ai shfaqi vizionin si të fillonte diçka nga e para. Ky vend është i vdekur. Nuk ka të holla, nuk ka investime", u shpreh Sllobodan, qytetar i Beogradit.
"Jam shumë i lumtur. E prisja këtë rezultat. Të ecim përpara", tha Dragan - qytetar i Beogradit.
Pjesëmarrja në votimet e të dielës ishte 52 %. Qeveria e re duhet të formohet deri më 1 maj. Ivan Bllazhevski