TIRANE- Mazhoranca kërkon reformimin e AMA-s duke nisur që nga zëvendësimi i kryetares Endira Bushati. Ky qëndrim u bë publik në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Medias, kur znj.Bushati, ishte thirrur për të raportuar për punën 1-vjeçare të institucionit që përfaqëson.
Nënkryetari Alfred Peza e ka cilësuar si të paligjshëm qëndrimin e saj në krye të AMA-s, në kushtet kur mandati i saj ka përfunduar. Ai shkon dhe më tej duke kërkuar hetim parlamentar për 13 mbledhjet e zhvilluara nga AMA përgjatë vitit 2013, në mungesë kuorumi.
Endira Bushati e ka cilësuar të qëllimshme këtë nismë nga mazhoranca, madje duke nënkuptuar me këtë dhe një paramendim për shkarkim kur vendet vakante sipas saj janë lënë qëllimisht të tilla.
"Vazhdimisht nën sulm institucioni u paralizua, nuk u miratua struktura. E dërguam me shkresë zyrtarisht edhe për legjislaturën e re por s'pati asnjë përgjigje. Kërkuam ndaj legjislaturës së re plotësimin e 3 vakancave por nuk pati asnjë përgjigje dhe që nga shtatori vihet rrotull e rrotull me amendime me vendime me memo të ndryshme të dala nga e njëjta dorë të cilat thonë, jo zotëri në nuk plotësojmë vendet vakante se ne duam të heqim këtë zonjën e cila më 2 korrik filloi të procedonte për licencimin e operatorëve në treg. Nëse këtu flitet për mandate atëherë përgjigja ime ishte e qartë. Kjo kryetare e AMA-së në 2 korrik të vitit 2013-tës, hapi procedurën për dhënien fund të informalitetit të tregut mediatik audioviziv. Ky vendim është pezulluar me vendim gjykate dhe znj. Milena Harito mban në këmbë, nuk e di si, një grup pune i cili nuk bën asnjë gjë, thjesht zvarrit dhe zvarrit fillimin e këtij procesi", tha Endira Bushati.
Luçiano Boçi i PD dhe Alfred Peza i PS, u ngarkuan nga komisioni për përpilimin e rezolutës mbi punën e AMA.