Shfaqja "Dasma" rikthen pas 34 vjetësh trupën e Baletit të Kosovës në Teatrin e Operas së Baletit në Tiranë. Drejtori i TKOB, Ilir Kerni dhe drejtori i trupës së baletit kosovar, Ahmet Brahimaj kanë shpjeguar gjatë një konference arsyet se përse nuk ka patur bashkëpunim të mëparshëm midis dy trupave të baletit.
Drejtori i Trupës së Baletit Kosovar, Ahmet Brahimaj theksoi:
"Është për të ardhur keq, bota financon , çka nuk financojnë, ndërsa ne nuk jemi në gjendje të vijmë në Tiranë apo Tirana në Prishtinë. Për fat të keq jemi kombi më i varfër në Ballkan apo në Europë por do të përpiqemi me këto mundësi që kemi që të jemi sa më afër njeri-tjetrit."
Trupa e baletit kombëtar kosovar është bërë pjesë e Teatrit të Operës dhe Baletit që prej vitit 1980 me shfaqjen koreografike të titulluar "Halili dhe Hajria". Drejtori i TKOB-it Ilir Kerni, ndryshe nga drejtuesit e mëparshëm i ka kapërcyer barrierat financiare, duke vendosur ta sjellë këtë trupë në vendin tonë.
Drejtori i Teatri Kombëtar të Operas dhe Baletit Ilir Kerni është shprehur:
"Pak i kemi të nevojshme ndërhyrjet e politikës për bashkëpunimin e teatrove tona, sepse tashmë jemi 1 dhe besoj se edhe produksione në të ardhmen, produksione të përbashkëta."
Shfaqja "Dasma" do të ngjitet në skenë mbrëmjen e së dielës në orën 19:00 në ambientet e Teatrit të Operës dhe Baletit. Bashkëpunimit mes dy trupave i shtohet edhe premiera "Balloja e Diplomës" e punuar nga Ilir Kerni me trupën e Baletit të Kosovës, e cila do të ngjitet në skenë mbrëmjen e së hënës.