LECCO - "Të dashura, Simona, Keisi e Sindi. Eshtë babai juaj ai që ju shkruan me zemrën të mbytur nga dhimbja. Nuk e kuptoj. Nuk jam ende në gjendje ta bëj, por nuk dua të gjykoj nënën tuaj. Na mungoni të gjithëve, prindërve dhe miqve, neve që nuk kuptuam dhe imagjinuam dot që diçka e tillë mund të ndodhte.
Nëpërmjet dhe rreth e rrotull jush shihnim vetëm një dashuri të madhe, dhe mundoheshim të bënim të pamundurën, por kjo nuk mjaftoi. Do të na mungojë gjithçka e juaja. Buzëqeshjet, ëndrrat dhe hareja juaj. Ju lutem të na doni nga qielli. Atje ku jeni tashmë, dhe shpresojmë të na falni atë dashuri që ne këtu nuk ditëm t'jua japim. Atë të ardhme që ëndërronit e që nuk mundëm t'jua falim"
Kjo është letra e lamtumirës që Bashkim Dobrushi, ia shkruan vajzave të tij, Kejsit, Sindit e Simonës. Në Bazilikën e qytetit të Leccos në Itali, pranë banesës ku jetonin dhe iu pre jeta në mes tre vajzave, dje u mbajt një meshë. Mbi tre arkivolët e bardhë shumë lule fotot e tre ëngjëjve që fshehin tragjedinë që jeta i rezervoi mbrëmjen e 9 marsit 2014, në shtëpinë ku mendonin se ishin më të sigurta se askund tjetër. Bashkimi lexoi letrën në fund të meshës.
I gjithë qyteti i Leccos sot mban zi dhe është solidarizuar me dhimbjen e familjes Dobrushi, por dhe për t'i dhënë mundësi kujtdo që t'i japin lamtumirën e fundit Sindit, Keisit dhe Simonës.
Mëngjesin e së shtunës trupat e pajetë të tre motrave pritet të mbërrijnë në portin e Durrësit. Më pas do të drejtohen drejt Kukësit, pasi do të përcillen për në banesën e fundit në fshatin e babait të tyre, Dobrush.
Gjithashtu sot, rreth orës 19:00, janë zhvilluar homazhe edhe nga Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, Prefekti i Lecco-s, Presidenti i Provincës së Lecco-s Daniele Nava dhe Kryebashkiaku i Lecco-s Virginio Brivio.