TIRANE- Siguria ushqimore dhe ndërgjegjësimi i konsumatorëve për të zgjedhur produkte të sigurta, ishin në qendër të analizës së sotme të punës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tërhoqi vëmendjen e konsumatorit duke thënë se, me sigurinë ushqimore nuk bëhet kompromis. Më tej ai nënvizoi se, institucioni që ai drejton në bashkëpunim me AKU-në, do jenë më aktivë për të siguruar standardet e kërkuara ushqimore.
"Janë konsumatorët të cilët duhet të ndërgjegjësohen sepse pasi pa një ndërgjegjësim të mjaftueshëm të konsumatorëve dhe opinionit publik për rreziqet që mbarten dhe që vijnë nga ushqimi, sfida jonë për të garantuar ushqime të sigurta është e pamundur. Ne i drejtohemi konsumatorëve shqiptar që t'i drejtohen prodhimeve vendase pasi kemi bindjen se këto prodhime ruajnë vlera të larta ushqimore dhe garantojnë parametrat e duhura të cilësisë dhe të sigurisë."- u shpreh Panariti.
Gjatë vitit 2013, Autoriteti Kombëtar i Ushtimit ushtroi 11.180 inspektime në prodhimet me orgjinë shtazore, ku u vendosën 52 gjoba, 865 paralajmërime dhe 54 pezullime aktivitetesh.