A1 Report - Xhihadistët shqiptarë para nga dyqanet 'Hallall'. Burg imamëve

2015-08-21 3

TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda ka vlerësuar sot masën e sigurisë "arrest me burg" për imamët e vetëshpallur Bujar Hysa dhe Genci Balla, të cilët dyshohen se kanë krijuar celula të rekrutimit të besimtarëve myslimanë për të luftuar me grupet e opozitës në Siri.

Ndërkaq është dhënë masa e "arrestit me burg" edhe për Zeqir Imerin dhe Fadil Mysmilanin. Ndërsa për 4 të arrestuarit e tjerë, Edmond Balla, Verdi Morava, Astrit Tola dhe Orion Reçi, vendimi pritet të jepet nesër.
Për të siguruar shumat financiare grupi kishte disa burime të ardhurash. Bëhet fjalë për disa dyqane si, piceri "Hallall" dhe dyqane të tregtimit të mishit. Verdi Morava, Shyqyri Kaca, Almir Daci dhe Medi Manallari janë personat e identifikuar nga prokuroria si financuesit e këtij grupi.

Shpeshherë lekët jepeshin në dorë, ndërkohë në shumë raste shumat financiare transferoheshin nëpërmjet bankave dhe degëve të unioneve. Shumë transferta janë kryer nga Siria dhe Turqia, si dhe nga disa shtete islamike. Për të hedhur dritë mbi këto transferta prokuroria ka kërkuar që të verifikohen me imtësi të gjitha llogaritë bankare të të arrestuarve dhe transfertat bankare që ata kanë kryer.