30 ditë paraburgim për 13 të arrestuarit në Kumanovë

2015-08-21 3

30 ditë paraburgim për 13 të arrestuarit një ditë më parë në aksionin policor 'Kalabria' në Kumanovë. Ministrja e brendshme Jankullovska dhe kryeprokurori Zvërlevski njoftuan se grupi i arrestuar tashmë një kohë të gjatë kanë përfituar prona të tundshme dhe të patundshme në mënyrë të paligjshme edhe atë duke kryer vepra penale në fushën e krimit të dhunshëm, dhënies së parave me kamatë si dhe tregti me lëndë narkotike nga Maqedonia në Zvicër.

'Pjesëtarët e këtij grupi kriminel në sistemin legal bankarë përmes llogarive të tyre si persona fizik por edhe përmes xhiro-llogarive të personave juridik nëpërmjet hyrje-daljeve të llogarive në denar dhe deviza kanë lëshuar në qarkullim rreth 4 milion euro duke i shndërruar ato para të fituara në mënyrë kriminele në pronë siç është pasuria e tundshme dhe e patundshme me qëllim që të fshihen të ardhurat kriminele', u shpreh Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

'Është ngritur padi për 13 persona, prej të cilëve 5 akuzohen si organizatorë të shoqërisë për bashkëveprim kriminel kurse 8 të tjerët akuzohen për pjesëtar të këtij grupi që kanë kryer vepra penale edhe atë për pastrim parash, tregti me drogë dhe armë', u shpreh Marko Zvërlevski, Kryeprokuror Publik.

Në aksionin e një dite më parë në disa lagje të Kumanovës kanë marrë pjesë mbi 350 policë të njësitit për intervenim të shpejtë. Në shtëpitë e të arrestuarve policia ka sekuestruar 30 mijë euro, bllok-shënime për shumën e parave të dhëna me kamatë, marrëveshje shitblerjeje për patundshmëri, akte noteriale, vetura, kompjuter dhe armë zjarri. Policia ka bastisur gjithashtu pesë zyra të noterëve dhe dy byro kontabiliteti për të cilat ekzistojnë indikacione se përmes tyre janë realizuar marrëveshje shitblerjeje. Valmir Kuçi

Free Traffic Exchange