Anëtarët e Këshillit të Evropës të cilët bënë thirrje të mos ketë bojkot të zgjedhjeve presidenciale, gjatë qëndrimit në Maqedoni kanë takuar vetëm përfaqësuesit e VMRO DPMNE-së . Si pasojë e kësaj, sipas BDI-së, ka ardhur deri te moskuptimi i idesë së BDI-së për president konsensual dhe arsyen pse BDI-ja bën thirrje të mos votohet ndonjë kandidat presidencial në këto zgjedhje. Përfaqësuesi i Këshillit të Evropës Shtefan Shehen tha mbrëmë se BDI-ja nuk guxon të bëj presion mbi qytetarët, që të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale.
"Delegacioni ynë nuk është shumë i lumtur që partia më e madhe shqiptare, ajo në pushtet, tenton të dështojnë zgjedhjet presidenciale. Kjo nuk është sjellje konstruktive dhe është e çuditshme në aspektin e demokracisë", tha mbrwmw Shtefan Shehen, Këshilli i Evropës.
Nga partia e Ahmetit për ALSAT M thonë se: "BDI nuk ka ndërmend të bëj çfarëdo qoftë presioni ndaj qytetarëve gjatë fushatës. BDI vetëm do të bëjë thirrje të mos votohet asnjë kandidat presidencial".
Në këtë drejtim ishte edhe deklarata e kryetarit të kësaj partie dhënë në "Rruga drejt..." në intervistën e tij të fundit para disa ditësh.
"Ne nuk do të votojmë për kandidatin që e paraqet VMRO DPMNE, por ne nuk jemi polici politike dhe të shkojmë te shqiptarët dhe ti themi ti nuk mund të dalësh në vota", u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ideja përfundimtare e BDI-së është dështimi i zgjedhjeve presidenciale, që do të sillte në vazhdim ndryshimet kushtetuese. Me këto ndryshime synohet që në të ardhmen presidenti i vendit të zgjidhet në Parlament, dhe të pamundësohet zgjedhja e tij pa pëlqimin e subjekteve politike shqiptare në vend. Benjamin Arifi