A1 Report - Peleshi thirrje pushtetit vendor: Te mblidhet tarifa e pastrimit

2015-08-21 0

Mbetjet urbane mbeten ende një problem serioz në Shqipëri për shkak të mungesës së konsensusit mes qeverisë pushtetit vendor dhe biznesit. Në një tryezë të rrumbullakët zëvendëskryeministri Niko Peleshi u bëri thirrje për qasje të përbashkët mes këtyre aktorëve në mënyrë që të mblidhet tarifa e mbetjeve urbane pasi sipas tij është i domosdoshëm fuqizimi i pushtetit vendor si dhe zhvillimi i turizmit .

"Në qoftë se në pushtetet vendore, në këshillat bashkiake do të hyjë politika e cila ndan këshilltaret sa herë që atje diskutohet për tarifën e mbetjeve urbane. Në qoftë se çdo nismë e qeverisë do të kundërshtohej nga opozita për shkak të impaktit social që mund të ketë në një moment të caktuar. Të gjitha këto do të çonin në dëm të procesit Në qoftë se nuk rritim të ardhurat e mbledhjes së tarifës vendore nga pushteti vendor. Bashkitë dhe komunat që kanë një tarifë modeste ose nuk kanë fare tarifë për mbetjet urbane, detyrimisht duhet ta vendosin atë." tha zëvendëskryeministri Peleshi

Por nga ana tjetër kryetari i Shoqatës së Ricikluesve Bardhyl Baltëza ka ngritur shqetësimin se industria e riciklimit të mbetjeve ndodhet në monopol ndërsa ka kërkuar nga qeveria fuqizimin e bizneseve shqiptare .

"Ne jemi të interesuar të riciklojmë mbetjet urbane shqiptare. Kompanitë që mbledhin mbetjet urbane lejohen te eksportojnë, ndërsa kompanitë që kanë nevojë për këto mbetje nuk lejohet të importojnë. Është monopol i pastër dhe ato luajnë me çmimet tona dhe një ndër të zezat e kompanive shqiptare të riciklimit është kjo." -- tha Bardhyl Baltëza

Edhe ambasada amerikane nëpërmjet të ngarkuarit të saj Henry Jardine ka kërkuar bashkëpunim për uljen dhe riciklimin e mbetjeve që të shëndërrohet në përparsi kombëtare.