A1 Report - Tirane, kamerat filmuan autoret e vrasjes se 50-vjeçarit afer baneses

2015-08-21 16

TIRANE- Dy persona me kapuç mendohet se janë autorët e vrasjes së Sami Shetës, 50 vjeç mbrëmjen e djeshme pranë banesës së tij në rrugën 'Kongresi i Manastirit' në zonën e 'Xhamllikut' në kryeqytet.

Policia ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të disa bizneseve të cilët mendohet se kanë filmuar skena që mund të vijnë në ndihmë për zbardhjen e vrasjes. Pikërisht këto dy personat me kapuç janë fokusuar nga kamerat.

Ndërkohë janë shoqëruar 12 persona dhe 8 pjesëtarë të familjes së viktimave janë marrë në pyetje për të ndihmuar në zbardhjen e vrasjes.

VRASJA
Viktima Sami Sheta ka qënë duke shkuar në banesën e tij, kur papritur është qëlluar me armë zjari nga persona ende të paidentifikuar nga policia e kryeqytetit. Menjëhërë në vendin e krimit kanë shkuar forca të shumta policie, ku dhe kanë bërë rrethimin e zonës me qëllim arrestimin e personit që qëlloi me armë zjari ndaj 50-vjeçarit Sheta. Ndërkohë janë shoqëruar dhe disa persona të tjerë të cilët kanë qënë në rrugë në momentin e ekzekutimit të Sami Shetës. Ata janë marrë në pyetje dhe më pas janë liruar nga policia e Tiranës. Hetuesit që kanë shkuar në vendin e krimit kanë sekuestruar disa gëzhoja pistolete. Sipas burimeve të policisë, viktima është qëlluar teksa po shkonte në banesën e tij që ndodhet në zonën e "Xhamllikut". Vrasja ka ndodhur jo shumë larg banesës së tij private, ndërkohë policia bën me dije se po punon për zbardhjen e rrethanave të krimit. Sami Sheta, njihet në zonën e Xhamllikut si person jo me probleme dhe i qetë.

Dëshmitarët i thanë policisë së Tiranës se kishin dëgjuar vetëm të shtënat e armës por jo autorët. Kanë qënë pikërisht dëshmitarët dhe familjarët e viktimës që i kanë dhënë ndihmën e parë duke e transportuar në spital. Por fatkeqësisht 50-vjeçari Sami Sheta nuk ka mundur të mbijetojë. Pritet që ditën e sotme policia e Tiranës të japë detaje më tepër rreth faktorëve që çuan në ekzekutimin e 50 vjeçarit Sami Sheta.

Free Traffic Exchange