Nga amnistia që miratoi dje parlamenti përfitojnë të dënuarit deri në 3 vjet ose ata që u kanë mbetur 3 vite dënim, por që nuk kanë kryer vepra të rënda penale. Konkretisht, gratë e burgosura të cilat në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj kanë mbushur moshën 50 vjeç dhe burrat që mbushin 60 vjeç do të përfitojnë nga amnistia. Është përcaktuar falja me 1 vit e gjysmë të dënimit të grave dhe të miturve, vetëm në rast nëse ata nuk kanë kryer vepra të rënda penale. Ndërkaq, do të përfitojnë nga falja edhe personat që kanë mbushur 18 vjeç ose më pas në kohën që kanë kryer veprën penale, por që nuk përfshin vrasjet, terrorizmin, pengmarrjen, apo krimet e tjera të rënda. Një tjetër kategori që përfiton nga kjo amnisti është edhe ajo e të dënuarve që kanë kryer 9/10 e dënimit, çfarëdo lloji qoftë ai. Ndërkaq, nëse ndonjë grua që nuk plotëson këto kushte, i ulet një vit nga dënimi, cilido qoftë ai. Të miturve u ulet gjithashtu një vit, ndërsa burrave 6 muaj. Ndërkaq, shtresa e fundit që amnistohen plotësisht nga ndjekja penale janë ata persona që deri në datën 31 dhjetor 2013 kanë kryer vepra penale të dënueshme deri në 2 vjet burg, me përjashtim të krimeve të rënda.