TIRANË - Gjykata Administrative në Tiranë, që prej krijimit të saj në dhjetor të vitit 2013 ka trajtuar 750 çështje. Ka qenë kreu i kësaj gjykate, Eriol Roshi ai i cili e ka bërë të ditur këtë gjë gjatë analizës së bërë në ambientet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Gjatë analizës, kreu i Gjykatës Administrative është ankuar se nuk kanë pasur fonde për shpenzimet operative.
"Gjatë dy muajve të parë të funksionimit të kësaj gjykate, kemi pasur fond prej vetëm 2.500 mijë lekësh për shpenzimet operative", ka thënë Roshi.
Ai ka kërkuar gjithashtu që, "trupa gjyqësore e Gjykatës Administrative e shikon të domosdoshme që të ketë akses në përzgjedhjen e këshilltarëve të gjyqtarëve".
Sipas kreu të Gjykatës Administrative, Eriol Roshi, ky institucion "ka nevojë për sistemin elektronik të çështjeve gjyqësore. Duhet sistem audio e regjistrimit të seancave gjyqësore".
Ai ka kërkuar gjithashtu që "të shtohet edhe numri i punonjësve administrativ të gjykatës - dhe sipas tij - duhet të jenë të trajnuar ose të trajnohen në vazhdimësi".
Ndërsa kreu i Apelit Administrativ, Kastriot Selita tha se, ky institucion ka trajtuar gjatë këtyre muajve 435 çështje të ndryshme.