RDK-ja e Rufi Osmanit do të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Vendimin për të garuar e vetme në zgjedhje, e ka marrë kryesia e partisë në mbledhjen e fundit. Me këtë vendim, RDK-ja refuzoi ofertën e BDI-së e cila u kishte bërë thirrje partive më të vogla politike shqiptare që të kontribuojnë për faktorizimin e elementit shqiptarë në vend duke iu bashkangjitur BDI-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në komunikatën e RDK-së thuhet se refuzojnë bashkëpunimin me BDI-në dhe me PDSH-në pasi sipas tyre, kanë delegjetimuar përfaqësimin e shqiptarëve'.
"Kryesia qendrore obligoi kuvendet e degëve të RDK-së që në një procedurë demokratike të nominojnë kandidatët potencial më se voni deri më 20 mars 2014, ndërsa verifikimi përfundimtar i listës me propozim të kryesisë qendrore do miratohet nga Kuvendi qendror i RDK-së", thuhet në njoftimin e RDK-së.
Pos listave për gjashtë njësitë zgjedhore në vend, RDK-ja njoftoi se ka vendosur që të garojë edhe në Evropë me kandidatin Enver Osmani. Promovimin e kandidatit siç njoftojnë nga kjo parti do ta bëjnë disa anëtarë të kryesisë që do të udhëtojnë në Zvicër, Austri, Gjermani, Itali, Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë. Bedri Rexhallari