Ahmeti dhe Thaçi takojnë ambasadorin Ivon

2015-08-21 1

Krerët e partive shqiptare BDI e PDSH kanë pritur në takime të ndara, ambasadorin e Britanisë së Madhe në Maqedoni, Kristofer Ivon. Në fokus të takimeve ka qenë situate politike në vend, zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Ahmeti mësohet të ketë mbrojtur qëndrimin e tij për president konsensual, duke theksuar se ka ardhur koha që faktori maqedonas të njohë atributin e shqiptarëve në shtet. Ahmeti ritheksoi se BDI-ja do të kontestojë legjitimitetin e një presidenti të zgjedhur pa votat e shqiptarëve, pa marrë parasysh a do të jetë nga VMRO DPMNE-ja ose LSDM-ja.
Ndërsa nga ana tjetër, kreu i PDSH-së Thaçi, përveç takimit me ambasadorin britanik, ka pritur në një tjetër takim edhe Drejtorin e Institutit Demokratik Kombëtar, Chris Henshou. Pas takimit, Thaçi i dërgoi kritika BDI-së për politikë manipuluese.

"Mendoj se vet akti i ulët i propozimit që zgjedhjet parlamentare të jenë në raundin e dytë s'ka përgjigje tjetër. Ata janë kooperativ të nënshtruar dhe bashkëpunues para Gruevskit, drejt një fenomeni shumë të qartë, dorëzimit të plotë para tij", deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Në reagimin e BDI-së, komentohet gjithashtu edhe lëvizja e PDSH-së për pjesëmarrjen në zgjedhjet presidenciale.

"Pozita e BDI-së në zgjedhjet presidenciale nuk do të cenohet nga vendimi i PDSH-së për të propozuar një kandidat shqiptar për president. Ky vendim i opozitës do të mbetet një përpjekje e dështuar në funksion të dhënies së legjitimitetit për procesin zgjedhor presidencial. Populli shqiptar me mos-pjesëmarrjen e vet në zgjedhjet presidenciale do t'i përgjigjet këtij veprimi jo të sinqertë e që lëndon konceptin për konsensualitet, i dobishëm për shqiptarët dhe gjithë qytetarët", thuhet në reagimin e BDI-së.

Në zgjedhjet presidenciale, BDI-ja vendosi bojkot, me qëllim promovimin e një kandidati konsensual që të përfaqësojë gjithë qytetarët e vendit. Ndërsa PDSH-ja preferoi të dilte me kandidatin e vetë. Në prag edhe të zgjedhjeve parlamentare, BDI-ja synon të rrisë më shumë numrin e deputetëve, dhe për rrjedhojë edhe forcën në kuvend. Ndërkaq, dje, PDSH-ja miratoi listën e kandidatëve të saj pjesëmarrës në garë. Bashkim Sulejmani