A1 Report - Pergjimi, Visho Ajazi kontroll telefonave te ministrave

2015-08-21 4

TIRANE- Telefonat e ministrave të kabinetit qeveritar të drejtuar nga Edi Rama, vijojnë të qëndrojnë nën survejimin e SHISH. Teksa kanë qenë viktima të përgjimit të Shërbimit të drejtuar nga Visho Ajazi në kohën që ishin në opozitë dhe pse e majta ka ardhur në pushtet e një pjesë e deputetëve janë bërë ministra, SHISH s'ka shkëputur "linjën" e përgjimit, duke regjistruar bisedat telefonike të tyre me kolegët, kreun e qeverisë apo aleatët, shpeshherë të deklaruar pa asnjë korrekturë në Kuvend apo në konferenca për mediat nga ish-lideri i PD-së Sali Berisha, apo dhe deputetët e kësaj force politike.

Burimet saktësojnë se deputetët e mazhorancës, në kuadër të përgatitjes së dosjes për kreun e SHISH Visho Ajazi me tërë shkeljet e tij, ku kopsitja e saj do të bëhet gjatë seancës së dëgjimit e përmes pyetjeve në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, do të kërkojnë të dinë se përse janë përgjuar ministrat në komunikimet e tyre. Dhe fjala është për ministra të rëndësishëm si Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Ministri i Financave Shkëlqim Cani, ai i zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj e zyrtarë të lartë të Ministrisë Mbrojtjes dhe Kuvendit. Ky element do jetë bazë e pyetjeve, pasi këto ministri përbëjnë bazën e sigurisë kombëtare.

Burimet brenda grupit të mazhorancës thonë se nuk ka si shpjegohet ndryshe që dhe bisedat më të thjeshta mes ministrave apo mes kryeministrit dhe ministrave, si dhe nismat e ndryshme në luftën kundër krimit, apo për procesin e integrimit dhe rolit të Shqipërisë në Aleancën Atlantike, bëhen publike në fillim nga goja e ish-liderit të opozitës. Deputetët do të kërkojnë shpjegime nga Visho Ajazi dhe për rrjedhjen e informacioneve drejt vendeve jo mike dhe armike të bllokut demokratik, duke sjellë shumë probleme për besueshmërinë e Shqipërisë në këto aleanca dhe në familjen evropiane drejt të cilës aspirojmë të integrohemi.

Pasi s'kanë qënë të rastësishme deklaratat e Berishës, Bashës, Ristanit etj, për elementë deri të marrëveshjeve ekonomike me vende të rajonit apo më gjërë. Këto elementë do mundohen të zbardhin deputetët e mazhorancës përmes pyetjeve, kur Visho Ajazi të mbërrijë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë kombëtare për të raportuar, i thirrur nga deputetët e të gjithë palëve politike.

Të survejuarit
Ditë më parë, gazeta "Shqiptarja.com" publikoi emrat e 8 personave për të cilët agjentë të SHISH kanë marrë direktiva nga drejtuesit e tyre, për t'i përgjuar. Bëhet fjalë për deputetin e LSI-së Spartak Braho, këshilltarin e kreut të qeverisë Edi Rama, Ermal Beqiri, Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve Briseida Shehaj, prefektin e Vlorës Besnik Dervishi, kreun e bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, Drejtoreshën e Doganave Elisa Spiropali, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Artan Didi, si dhe shefin e qarkullimit në Vlorë, Ilir Rrokaj.

Free Traffic Exchange