A1 Report - Ushtria e Kosovës, OKB-Serbisë:S'do të këtë seancë të jashtëzakonshme

2015-08-21 3

BEOGRAD - OKB-ja nuk do të përzihet në çështjen e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Kjo ka qenë përgjigjja ndaj kërkesës së Serbisë për organizmin e një seancë të jashtëzakonshme për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, ka thënë për mediat serbe se nuk i përket OKB-së të përzihet në çështje që kanë të bëjnë me sigurinë në Kosovë.

Sipas tij, përgjegjëse për sigurinë e Kosovës është forca paqeruajtëse e NATO-s. Zëdhënësi Haq ka konfirmuar se OKB-ja është informuar për vendimin e qeverisë së Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura, ndërsa ka shtuar se në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, forcat ndërkombëtare të sigurisë janë përgjegjëse për sigurinë në Kosovë.

Reagimi i zëdhënësit të Kombeve të Bashkuara erdhi pasi Serbia përmes ministrit Aleksandër Vulin kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar vendimin e qeverisë për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës kanë reaguar edhe kryeministri serb Ivica Daçiç dhe zv/ kryeministri Aleksandër Vuçiç, të cilët kanë paralajmëruar se do ta ngrenë këtë çështje edhe në Bashkimin Evropian.

Free Traffic Exchange