A1 Report - Basha akuza qeverisë Rama: Po rrezikohet statusi i vendit kandidat

2015-08-21 1

Lideri demokrat Lulzim Basha nga Kongresi i Partisë Popullore Europiane PPE ku ka marrë pjesë ka vijuar akuzat ndaj qeverisë Rama se po i rrezikon Shqipërisë statusin e vendit kandidat .

"Është e qartë se institucionet e BE, qeveritë mike të përfaqësuara në PPE mbështesin pa rezerva perspektiven europiane të Shqipërisë, mbështesin pa asnjë paragjykim ecjen përpara të Shqipërisë drejt statusit të vendit kandidat por edhe drejt hapjes së negociatave. Pengesa e vetme është arritja e standardeve të kërkuara, pengesa e vetme është ruajtja e standardeve të arritura më parë", tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike është shprehur më tëj se drejtues të shteteve dhe qeverive anëtare të BE dhe institucioneve të BE kanë shprehur shqetësimin për veprimet antidemokratike të ndërmarra nga qeveria në këto 6 muaj

"Mesazhi nga kryetarët e qeverive të shteteve anëtare dhe drejtueseve të institucioneve europiane të pranishëm në këtë kongres ishte i qartë dhe pa ekuivok. Me frymën e saj antikushtetuese, me goditjet e njëpasnjëshme kundër institucioneve të pavarura dhe tentativës për t'i kapur ato, me goditjet ndaj administratës publike dhe në tërësi frymën e konfliktualitetit që ka injektuar në marrëdhëniet me opozitën, qeveria rrezikon seriozisht statusin në qershor. Jo vetëm kaq, por kjo sjellje e cila konsiderohet se po zhbën disa standarde të arritura tashmë në Shqipëri po rrezikon imazhin e Shqipërisë dhe progresin e gjithanshëm të Shqipërisë në raport me aspiratën e saj për integrim ne BE", theksoi lideri demokrat në fjalën e tij.

Kryetari i PD Lulzim Basha mori pjesë edhe në konferencën "Ballkani Perëndimor në BE, perspektiva dhe sfida " ku theksoi nevojën për angazhim dhe fokus të vazhdueshëm për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike në Ballkanin Perëndimor dhe shprehu angazhimin dhe përkushtimin e PD ashtu si dje në qeverisje të vendit edhe sot në opozitë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Free Traffic Exchange