Ende nuk janë zbuluar koordinatat e avionit "Boeing 777" i zhdukur sot me 239 udhëtarë në të, gjatë fluturimit nga Kuala Lumpuri për në Pekin. Mediat vietnameze cituan autoritetet duke thënë se avioni u rrëzua në ujërat e Malajzisë, 153 kilometra nga ishulli vietnamez Tho Çu. Disa orë më vonë, autoritetet e Malajzisë mohuan se deri në këtë moment nuk kanë informacione për vendin se ku ka rënë avioni.
"Nuk kemi asnjë informacion në lidhje me këtë, por po bëjmë kërkime. Kemi formuar një qendër koordinimi. Kështu në çdo dy orë do të kemi konferencë për shtyp, dhe për operacione, kemi aktivizuar edhe ushtrinë", tha Hishamudin Husein, ministër i Transportit të Malajzisë.
Në faqen e internetit të kompanisë "Malajzia Airlines" u paraqit lista e pasagjerëve. 153 prej tyre ishin kinezë, midis të cilëve edhe një foshnjë, 38 malajzianë, 12 indonezianë, 7 australianë, 4 amerikanë, 3 francezë, si dhe shtetas të tjerë nga Zelanda e Re, Kanadaja dhe Ukraina, Rusia, Italia, Tajvani, Holanda dhe Austria. Piloti dhe bashkë-piloti janë malajzianë, me një përvojë të gjatë në aviacionin civil. Ivan Bllazhevski