KSHZ përcakton afatet zgjedhore

2015-08-21 1

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka përcaktuara afatet kohore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen më 27 prill. Anëtarët e KSHZ-së arritën unanimisht dhe me konsensus, marrëveshjen për tejkalimin e dilemave që paraqiten me mbajtjen e zgjedhjeve paralele, presidenciale dhe të parakohshme parlamentare, si dhe përplasjet gjatë fushatës, heshtjes zgjedhore dhe problemeve me listën zgjedhore. Sipas këtij vendimi, fushatat për të dyja proceset zgjedhore do të zgjasin nga 20 ditë siç parashikon edhe kodi zgjedhor. Fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të filloj më 5 prill e jo më 7 prill siç parashikon kodi zgjedhore për shkak të heshtjes zgjedhore për raundin e parë të presidencialeve, më 12 dhe 13 prill. Listat e kandidatëve për deputetë duhet të dorëzohen më 29 mars, shqyrtimi i listës zgjedhore do të realizohet nga 16 deri më 30 mars ndërsa shorti do të hidhet më 3 prill. Sa i përket diasporës, nrrjedh e sipër është aplikimi për votim.

"Mendoj se kemi gjetur zgjidhjen më të mirë duke mos dëmtuar as ata që do të bëjnë fushatë për zgjedhjet parlamentare e as ata për të cilët vlen heshtja zgjedhore për zgjedhjet presidenciale... KSHZ-ja vendosi që fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend të datës 7 prill, të fillojë dy ditë më herët, pra më 5 prill dhe do të ketë heshtje më 12 dhe 13 prill, pra dy ditë. Pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, të gjitha subjektet politike që marrin pjesë në zgjedhje parlamentare do të mund ta vazhdojnë fushatën", tha Bedredin Ibrahimi, anëtar i KSHZ-së.

"Shqyrtimi publik i listës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 16 mars dhe do të zgjas deri më 30 mars. Listat e kandidatëve për deputetë duhet të dorëzohen në KSHZ deri më 29 mars ndërsa shorti për listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare do të hidhet më 3 prill", u shpreh Vllatko Sajkovski, anëtar i KSHZ-së.

"Edhe për këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, të drejtë vote kanë edhe qytetarët që jetojnë jashtë vendit. Kjo e drejtë, me këtë orar që kemi miratuar, parashikohet nga dita e djeshme, prej kur edhe mund të fillojnë me aplikim deri më 30 mars, kur përfundon edhe shqyrtimi publik i listës zgjedhore", tha Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.

Anëtarët e KSHZ-së theksuan se kjo metodë pune është forma më adekuate për realizimin e këtij procesi të dyfishtë zgjedhor, që nuk është zbatuar ndonjëherë në Maqedoni. Ata presin që këtë orar të miratuar, ta pranojnë edhe pjesëmarrësit në procesin zgjedhor. Gjyltene Rexhallari

Free Traffic Exchange