Stavrevski nuk komenton arrestimin e Subrata Rojit

2015-08-21 0

Promotori kryesor i investimeve në Maqedoni të biznesmenit kontrovers Indian Subrata Roj, zv/kryeministri dhe ministri i Financave Zoran Stavreski sot më në fund dha një deklaratë për çështjen e projekteve të këtij biznesmeni. Stavrevski, i cili i pati paralajmëruar disa herë projektet në Llubanishtë të Ohrit dhe në Agrokombinatin Xhumajlija, sot ishte i shkurtër në përgjigje:

"Qëndrimi i Qeverisë për këtë çështje u prezantua pak ditë më parë nga Ministri i Investimeve të Huaja Bill Pavleski. Ky është edhe qëndrimi i qeverisë", tha Zoran Stavrevski- ministër i financave.

Të dielën, ministri Bill Pavleski tha se Qeveria e Maqedonisë nuk është e shqetësuar aspak, edhe pse një prej investitorëve të mundshëm të saj Subrata Roj, përfundoi në burg me akuzën për mashtrim të miliona indianëve, në vlerën prej 4 miliardë dollarësh. Sipas ministrit, projektet nuk janë anuluar, por qeveria po monitoron nga afër zhvillimet në Indi.

"Ne i ndjekim me seriozitet gjërat që ndodhin, e sidomos në pjesën e biznesit që do të zhvillohet këtu në vendin tonë. Mirëpo, ato gjëra duhet të dëshmohen më parë në Indi, dhe me siguri ne nuk ndërhyjmë në çështje që nuk na përkasin, megjithatë, po i ndjekim seriozisht ngjarjet e atjeshme", deklaroi ditë më parë Bill Pavleski, Ministër për Investime të Huaja.

Subrata Roj paralajmëroi si investime hotelin luksoz me fushë golfi në Llubanishtë të Ohrit, si dhe rigjallërimin e Agrokombinatit Xhumajlija, me sjelljen e mbi 20 mijë lopëve. Për projektin e parë qeveria ndryshoi një sërë ligjesh në favor të Rojit, ndërsa për të dytin, biznesmeni indian fitoi të drejtën për të marrë subvencione disa milionëshe për bujqësinë. Goran Temenugov