Arsimi është një nga shtyllat themelore të zhvillimit të një shoqërie dhe një kombi, ndaj për këtë arsye, ai ka zënë vendin kryesor në platformën zgjedhore të BDI-së. Një gjë të tillë e promovuan përfaqësuesit e BDI-së, Fatmir Besimi dhe Safet Neziri gjatë takimit të tyre me përfaqësuesit e disa shkollave fillore dhe të mesme në vend me rastin e ditës së mësuesit, 7 Marsin.
'Të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet në drejtim të zbatimit të reformave, ne jemi duke i pranuar dhe i evidentuar dhe ato do ti inkorporojmë në programin politik të BDI-së. Nuk do të kemi asnjë rezervë në drejtim të asaj për të përmirësuar cilësinë e sistemit arsimorë të Maqedonisë, veçanërisht në gjuhën shqipe', tha Safet Neziri, Zv/Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
"Në këtë ditë, për temë të arsimit si prioritet në platformën e ardhshme të BDI-së flasim për sfidat e zhvillimit të arsimit dhe reformat në të ardhme në këtë proces', u shpreh Fatmir Besimi, Zv/Kryeministër për Çështje Euro-Integruese.
Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni Nuhi Dardhishta tha se ka kërkuar nga përfaqësuesit e partisë shqiptare në pushtet, që të ndihmojnë në ngritjen e cilësisë së arsimit shqip. Ai kujtoi se ky proces mund të realizohet vetëm përmes sigurimit të standardeve evropiane.
'Ne kërkojmë vazhdimisht që të përmirësohen kushtet për arsim në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, pasi jemi vazhdimisht nëpër projekte në mbarë Europën dhe kërkojmë kushtet e njëjta. Kryesore do të jetë edhe përzgjedhja e kuadrit arsimor, d.m.th na duhen mekanizma që të kemi përzgjedhje të duhur dhe të vazhdojmë me reformat", deklaroi Nuhi Dardhishta, Kryetar i LASH-it.
Përfaqësuesit e BDI-së që sot takuan përfaqësuesit e arsimit shqip, thonë se ky bashkëpunim është vetëm një vazhdimësi e traditës që ekziston prej vitesh tashmë. Valmir Kuçi