A1 Report - Zhduket trafikanti i dënuar me 20 vjet në Itali, u arratis nga shtëpia

2015-08-21 1

TIRANE- Thellohet skandali i ekstradimeve të shtetasve shqiptarë drejt Italisë, duke vënë në pikëpyetje zbatimin e marrëveshjes së firmosur pak vite më parë mes dy shteteve.

Një vendim i Gjykatës së Apelit Vlorë i marrë në muajin maj 2013, i cili në 20 shkurt u pasua edhe me rastin e lirimit nga qelia të një biznesmeni nga Fieri, duket se ka shkelmuar marëveshjen e lidhur mes Shqipërisë dhe Italisë.

Gazeta "Shqiptarja.com" zbulon se në datën 6 maj 2013 Gjykata e Apelit Vlorë, vendos të prishë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë dhe të nxjerrë jashtë qelie biznesmenin në fushën e lojërave të fatit, shtetasin Gramos Murataj.

Ky i fundit rezultonte në kërkim dhe me kartelë të "kuqe", pasi gjykata e Leçes në Itali e ka dënuar me 20 vite burg për trafikimin e heroinës dhe kokainës. Në datën 17 prill ky biznesmen arrin të lokalizohet dhe arrestohet nga policia e Vlorës, por në 6 Maj 2013, arrin të dalë nga qelia si pasojë e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë. Ky vendim caktonte masën e "arrestit shtëpiak" me argumentin se nuk ka rrezik ikje dhe urdhëronte të arrestuarin të qëndronte në banesën e tij, deri në sqarimin e rrethanave të ekstradimit.

Mirëpo ajo që ndodhi më pas solli dështimin e ekstradimit të tij në Itali, pasi shtetasi Gramos Murataj ishte larguar nga banesa. Momentalisht ndaj Murataj prokuroria e Vlorës ka ngritur akuzën e "Largim të burgosurit nga vendi i qëndrimit" dhe dosja ndodhet në gjykim.