TIRANE- Ambasadori i OSBE-së Florian Rauning vlerëson punën e deritanishme nga ministria për Pushtetin Vendor për reformën e re territoriale.
Ministri për Çështjet vendore Bledi Çuçi, zhvilloi sot një takim të zgjeruar me gjithë ambasadorët e Bashkimit Europian, të OSBE-së dhe të Shteteve të Bashkuara, duke i informuar për ecurinë e reformës territoriale. Në përfundim të këtij takimi, që u mbajt me dyer të mbyllura, ambasadori i OSBE-së Florian Raunig dhe ministri Çuçi, folën edhe për mediat .
Kreu i prezencës së OSBE-së Raunig , ritheksoi se në këtë proçes duhet gjithëpërfshirje, por nënvizoi se puna e derimëtanishme, është profesionale.
"Ministri na informoi për procesin e reformës territoriale. Është një reformë mbarë kombëtare dhe duhet të jetë një proces shumëpërfshirës dhe të gjithë aktorët duhet të përfshihen në këtë proces. Procesi është profesional siç është planifikuar. Kemi të bëjmë me dy rryma, Implementimi teknik i reformës, dhe kuadri politik ku duhet të kemi një marrëveshje."- tha Raunig.
Në emër të qeverisë ministri Çuçi, shprehu angazhim maksimal për ta cuar deri në fund këtë reformë , duke ofruar edhe konsensusin për opozitën .
"Të gjithë ramë dakord që është një nga reformat që duhet sa më shpejt dhe garantova dhe vazhdojmë të mbetemi se opozita duhet t'i bashkohet kësaj reforme, aq më tepër që ajo nuk ka kundërshtime për reformën por kundërshtimet janë tërësisht politike. Nëse opozita zgjedh të izolohet dhe të bojkotojë proçesin politik është zgjedhja e saj. Fakti është që komisioni është në pritje dhe mund të fillojë punën."- tha Çuçi
Megjithëse është ngritur një komision i posaçëm për këtë çështje, ku opozita ka edhe të drejtën e vetos, deputetët demokratë kanë vendosur disa kushte politike, duke vështirësuar arritjen e konsensusit mes palëve.