TIRANA -- Lulet kanë qenë dhurata më e preferuar në këtë ditë të veçantë të festës së mësuesit, 7 Mars, por nuk kanë munguar as dhuratat materiale.
Vetë prindërit shprehen se dhuratat janë më e pakta që ata mund të bëjnë për të shprehur mirënjohjen pë rata që u japin dije fëmijëve të tyre.
Ndërkohë që kjo ka qenë një ditë e mbarë edhe për shitësit e luleve, të cilët kanë "pushtuar" hyrjet e shkollave.
Një ditë më parë minsitrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila ndodhej për një vizitë zyrtare në shtetin helen, ka takuar mësuesit shqiptarë që japin mësimin plotësues të gjuhës shqipe falas për fëmijët e emigrantëve shqiptar që punojnë e jetojnë në Greqi.
Kryeministri Edi Rama dje në bashkëbisedimin e zhvilluar me mësues të arsimit parauniversitar, organizuar në kuadër të Festës së 7 marsit tha se prioritet do ketë realizimi i premtimit për një taksim të ndershëm. Sipas tij, mësuesit më të mirë do të marrin bonuse për punën e tyre.
7 Marsi i dedikohet ekskluzivisht edukatorëve të brezave të rinj që me përpjekjet e tyre perçojnë dijet duke ndihmuar të rinjtë të ecin përpara ne jetë dhe të jene qytetarë të mirë. Më e paharrueshme, festa e 7 Marsit është për nxënësit e klasave të para që për herë të parë do të përjetojnë emocione të veçanata duke i çuar lule mësuesve të tyre.
Dita e 7 Marsit në Shqiperi është në përkujtim e nderim të hapjes së shkollës së pare shqipe rreth 127 vjet më parë, në 1887.
Më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Veç tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu që nga ajo ditë 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.
Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të të teksteve të para shkollore të dokumentuara.