Presidenti amerikan, Barack Obama i ka përsëritur edhe njëherë Presidentit rus Vladimir Putin se veprimet e Moskës po cënojnë sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin e saj territorial. Kjo është ajo çka bëhet e ditur nga Shtëpia e Bardhë, duke iu referuar telefonatës së kryer mes dy liderëve.
Gjatë kësaj telefonate, Obama u shpreh se "duhet të zgjidhim situatën në Ukrainë në një mënyrë diplomatike dhe në interes të Rusisë, të popullit të Ukrianës dhe të Komunitetit Ndërkombëtar".
Si pjesë e kësaj zgjidhjeje, qeveritë e Ukrainës dhe Rusisë, duhet të nisin negociatat e drejtpërdrejta, me ndihmën e Komunitetit Ndërkombëtar dhe nga vëzhguesit Ndërkombëtarë, derisa të mund të garantohet që të drejtat ukrainase të jenë të mbrojtura, si ato të Rusisë dhe që forcat ushtarake ruse të kthehen në bazat e tyre.
Ndërsa Presidenti Putin nga ana e tij shtoi se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk duhet të preken nga mosmarrëveshjet për Ukrainën. Ai nënvizoi faktin se marrëdhëniet amerikano-ruse janë të rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë në botë.