A1 Report - Bruksel mbeshtet Ukrainen, vendos sanksione per Rusine

2015-08-21 0

BRUKSEL- Në një konferencë për mediat, Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy dhe presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso bënë të ditur se BE do të vendosë sanksione të ndryshme mbi Rusinë.

Në fjalën e tij, Herman Van Rompuy tha se BE do të nënshkruajë marrëveshjen e asociimit me Ukrainën, para zgjedhjeve presidenciale të 25 majit në vend. Ai shtoi se Ukraina duhet të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe të nxjerrë para ligjit, përgjegjësit për trazirat në Kiev. Sipas tij, situata në Krime duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut. Rompuy i bëri thirrje Rusisë të tërheqë trupat dhe të lëjojë vëzhguesit ndërkombëtar të hyjnë në Krime. Presidenti i Këshillit të Europës tha se nëse Rusia do të vazhdojë të dërgojë trupa në Krime dhe të tensionojë edhe më tëj situatën, atëhere BE do të marrë masa.

Ndërkohë Jose Manuel Barroso tha se prioriteti ishte dialogu dhe zgjidhja paqësore e situatës në Urkainë. Ai shtoi se BE mbështet qeverinë e re të Ukrainës e cila u mbështet edhe nga vetë populli. Presidenti i Komisionit Europian shprehu gadishmërinë për të ndihmuar situatën ekonomike të vendit duke akorduar një fond prej 11 miliardë eurosh. Situata në Ukrainë për Barroson është dhe më e vështira e viteve të fundit në Europë, për sa i përket stabilitetit dhe paqes.