Vendi i Shqipërisë është në Europë. Këtë e ka shprehur presidenti italian gjatë seancës së posaçme të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë. Presidenti Napolitani rishprehu edhe njëherë mbështetjen e Italisë ndaj vendin tonë në rrugën drejt integrimit europian, duke vënë theksin në rëndësinë e vijimit të reformave.
"Italia ka dhënë e do të vijojë të japë një mbështetje të vendosur në rrugën e Shqipërisë në BE. Anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave përbëjnë një sukses për të cilët mund të jemi krenare në pritje të vendimit të rëndësishëm të anëtarësimit në BE. Vendi i Shqipërisë është në Europë për vlerat e saj. Në rajon Shqipëria është shfaqur si një faktor stabiliteti. Ka mbajtur një qëndrim, identitet, që përben shenjen më të qartë të bashkëndarjes së vlerave që unifikon bashkimin, dhe thelbin tonë të përbashkët", u shpreh presidenti italian.
Presidenti i Italisë Giorgio Napolitano ka vënë theksin në rëndësinë e reformave në sistemin e drejtësisë, dhe në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.
"Duhet të fuqizohet më tej lufta ndaj kriminalitetit dhe korrupsionit. Nevojiten reforma në sistemin gjyqësor. Por lufta kundër krimit dhe korrupsionit është me rëndësi. Shqipëria duhet të ndjekë objektivin evropian. Po kështu partneriteti Shqipëri-Itali, mund të marrë trajta edhe më të gjera", vijoi Presidenti Napolitano.
Duke u ndalur tek marrëdhëniet mes dy vendeve, presidenti i Italisë shprehu bindjen për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ndërkaq, theksoi edhe rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon.
"Krenaria e popullit shqiptar për fitoret e vazhdueshme sa i takon stabilitetit dhe prosperitetit, vlerësohet edhe nga Italia. Është një përgjegjësi që deri më sot është kthyer në një mbështetje të vazhdueshme për nevojat që vijnë nga populli shqiptar. Një angazhim që mund të quhet si vazhdim i politikës së jashtme italiane. Jam i sigurt se ky angazhim do të shënojë edhe raportet tona në të ardhmen. Shqipëria është një vend mik i Italisë. Komuniteti shqiptar përfaqëson sot komunitetin e dytë të huaj rezident në Itali për nga numri, dhe ka të bëjë me dinamizmin në sipërmarrjen në vendin tonë, por duke ruajtur traditën dhe kulturën. Jemi shembuj të integrimit të madh dhe ngjashmërive mes dy popujve tanë.
Në rritjen e sistemit shoqëror dhe prodhues shqiptar merr pjesë edhe sipërmarrja italiane që ka gjetur terren për investime në Shqipëri. Kjo marrëdhënie ndikon në një bashkëpunim më të madh mes dy vendeve tona", tha Napolitano.