A1 Report - Falen gjobat per bizneset nga marsi deri ne gusht 2013

2015-08-21 2

TIRANE- Qeveria ka vendour të falë dënimet administrative në formën e gjobave, të vëna në bazë të kontrolleve dhe verifikimeve tatimore të periudhës 1 Mars deri në 31 Gusht, 2013.

Ndërsa ka bërë publike vendimin e Këshillit të Ministrave, ministri e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, tha se tashmë po merr fund kapitulli i turpshëm ku gjobat përdoreshin si instrument presioni politik dhe po çelet një erë e re në marrëdhëniet qeveri-biznes.

"Ashtu siç kishim premtuar, ne po e shpëtojmë biznesin nga të gjitha problemet. Përveçse heq një padrejtësi të madhe, kjo masë është një projekt madhor i qeverisë. Vendimi është një premtim i mbajtur dhe një provë e angazhimit tonë për rritjen e ekonomisë"- u shpreh Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, ky është një tjetër premtim i përmbushur nga qeveria "Rama" në përmirësimin e klimës me biznesin, ku ky i fundit shikohet si partner.

Me qindra subjekte private u gjobitën nga administrata tatimore gjatë muajve të fushatës elektorale nga marsi deri në gusht 2013. Kjo fushatë ndëshkuese i tensionojë ndjeshëm marrëdhëniet qeveri-biznesit, duke shkaktuar pakënaqësi dhe protestë te këta të fundit.