MALESI E MADHE - " Në 1997 kallëpet e tritolit i kam marrë në një depo ushtarake. Kur kisha një porosi përgatisja kallëpet e tritolit sipas kërkesës së blerësit" ka thënë Taf Balilaj për grupin hetimor pasditen e djeshme. Ai u arrestua pasi në banesën e tij u zbulua një bazë e eksplozivit.
Banesa e Taf Balilajt, ku sipas policisë u zbulua baza e eksplozivëve ndodhet në fshatin Kurtaj, fshati i fundit dhe më i thelli i komunës Gruemirë së Malësisë së Madhe. Mund të shkosh vetëm me automjete të larta kryesisht fuoristrada të cilat të dërgojnë në luginën e Rrjollit. Në banesë u sekuestruan 238 kallëpe tritoli, 200 metra fitil, 150 kapsolla detonatore si dhe 100 copë granata, 3 automatikë.
Një kallëp tritol ishte 250 gram. Sipas kërkesës së blerësit Taf Balilaj përgatiste tritolin në masën që kërkonin. Pasi merrte masën e kërkuar, (psh 100 gram tritol) Balilaj montonte kapsollën dhe vendoste fitilin. Ai ka dëshmuar se kallëpet e tritolit i kishte gjetur në një depo ushtarake që kishte afër fshatit. I kishte ruajtur dhe më pas i përdorte për t'i shitur personave të interesuar. Balilaj ka thënë se kryesisht blerësit ishin ata që punon në gurore.
KU FSHINTE TRITOLIN
Policia bëri publike sot pamjet e operacionit që u krye dje dhe ku u sekuestruan edhe 238 kallëpe tritoli, 200 metra fitil, 150 kapsolla detonatore si dhe 100 copë granata, 3 automatikë.
Gjatë operacionit të zhvilluar në orët e paradites së djeshme nga Policia e Shkodrës është sekuestruar edhe pajisja që përdorej për përpunimin e tritolit.
Tritoli ishte fshehur në një kasolle pranë banesës, ndërsa policia ka sekuestruar edhe pajisjen që merrej me përpunimin e tritolit. Balilaj ka treguar dhe gjithë procesin e montimit dhe përgatitjes së kallëpëve të tritolit sipas kerkesës së blerësit.
SHTËPIA E TRITOLIT
Për në banesën e Tafë Balijajt të duhet të shkosh në qendër të fshatit Kurtaj e të ecësh me fuoristradë për 10 minuta, më pas për afro 30 minuta të duhet të ecësh në këmbë në një zonë të thepisur. Banesa e Tafë Balijaj, ndodhet në shpat të një mali e veçuar nga i gjithë fshati.
Këto veçori e bënin të favorizuar duke e mbajtur larg vëmendjes së policisë për grumbullimin dhe shitjen e lëndëve eksplozive.
Edhe oficerët e krimeve të policisë së Shkodrës janë treguar shumë të kujdesshëm gjatë ditëve që mbanin në vëzhgim banesën Balijajt për të mos rënë në sy në atë zonë ku shumë rrallë mund të kalonte apo të qëndronte një person që nuk ishte banor i asaj komune.
Dhe pikërisht në këtë banesë janë gjetur 238 kallëpe tritoli, 200 metra fitil, 150 kapsolla detonatorë, 100 granata, 3 automatikë dhe 6 arka me fishekë.