Biznesmenët austriak: Në Maqedoni nuk ka kulturë të pagesës

2015-08-21 4

Maqedonia nuk ka kulturë pagese. Kjo ndikon negativisht në likuiditetin e kompanive të huaja investuese. Kështu u shpreh atasheu i Odës ekonomike të Austrisë, në lidhje me përshtypjet e deritanishme të investitorëve austriak në Maqedoni, sa i përket klimës së biznesit vendor. Sipas tyre, as lirimet e ndryshme nga taksat për firmat që veprojnë në zonat e lira ekonomike, nuk janë ndonjë ndihmesë e madhe për kompanitë e vogla dhe të mesme.

"Një ndër problemet më të mëdha është ai i likuiditetit, pra i moralit të pagesës. Ju mund të shënoni fitim në fund të muajit, mirëpo realiteti është ndryshe, nëse paratë i keni në llogarinë tuaj. Kjo do të thotë se një ndër problemet kryesore këtu në Maqedoni është problemi i pagesës. Iniciativat që ofron si shërbim qeveria e Maqedonisë për investime në zonat e lira ekonomike, janë më pak relevante për firma të vogla dhe të mesme që punojnë në sektorin e shërbimit", u shpreh Gerhard Shllatll, Atashe në Odën ekonomike të Austrisë.

Nga Oda ekonomike e Austrisë thonë se përshtypjet për mundësitë investuese, janë ndarë edhe me investuesit potencial nga Austria. Ndërkohë nga Oda ekonomike e Maqedonisë pranojnë se me Austrinë, niveli i shkëmbimit tregtar nuk është ai i duhuri.

"Edhe pse Republika e Austrisë është në vendin e 14 sa i përket shkëmbimit tregtar, sidoqoftë ka hapësirë për bashkëpunim më intensiv për shkak se është konstatuar bilanc negativ prej 20 milion dollarësh amerikane. Shkëmbimi gjatë vitit 2013 mes Republikës së Austrisë dhe Republikës së Maqedonisë ishte 175 milion dollarë amerikane, me çka është konstatuar rritje prej 4,2% krahasuar me vitin e kaluar", tha Sofçe Jovanovska, drejtore në Odën ekonomike të Maqedonisë.

Firmat Austriake në Maqedoni deri tani kanë investuar më së shumti në sektorin e shërbimeve, në elektro-energjetikë, telekomunikime, sektorin bankar dhe financiar dhe në sektorin e ndërtimtarisë. Në takimin e sotëm mes dy odave ekonomike u fol për bashkëpunim mes firmave austriake dhe maqedonase, në menaxhimin e ujërave të zeza. Ferikan Iljazi

Free Traffic Exchange