A1 Report - 'Arratisen' në Dublin,Berisha e Basha shmangin Fylen e Napolitanon

2015-08-21 0

TIRANE- Lulzim Basha dhe Sali Berisha ikin nga Shqipëria përgjatë kohës kur në Tiranë do të vijë Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano dhe Komisionieri i BE, Stefan Fyle. Burime nga selia blu bënë me dije se kreu i PD-së Lulzim Basha së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha, do të nisen nesër për në Dublin të Irlandës, ku do të marrin pjesë në samitin e Partive Popullore Europiane.
Por, ky takim i dy krerëve më të lartë të Partisë Demokratike, me homologët e partive simotra, bëhet në një kohë kur në Tiranë do të vijnë mjaft personalitete të rëndësishëm, ku në datën 6 mars, në takimin me Komisionerin Fyle do të diskutohet edhe për çështjen e integrimit, ku opozita ka një ftesë të veçantë.
Vetëm pak ditë më parë, ish-kryeministri i vendit Sali Berisha, lëshoi një lumë akuzash ndaj eurokomisionerit Fyle duke e cilësuar atë si serbofil, apo duke e akuzuar se çështja e tri ligjeve me konsesus ishte një skenar i organizuar nga ai së bashku me Edi Ramën, në mënyrë që vendi të mos merrte statusin e vendit kandidat. Por, ky largim i Berishës, së bashku me Bashën nga Shqipëria, duket si një shmangie nga takimi që mund të kishin me Fylen, pasi eurokomisioneri kishte paracaktuar një takim në një tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohej mbi çështjen e integrimit të vendit, si edhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Kësisoj, me largimin e dy përfaqësuesve më të lartë të PD-së që bashkëpunojnë në drejtimin e partisë, duket se PD-ja nuk do të jetë e përfaqësuar në diskutimet integruese të vendit në BE. Kjo bie në kontradiktë edhe me vetë PD-në, e cila që nga muaji shtator i vitit 2013 dhe deri më sot, ka ripërsëritur faktin se do të mbështesë pa rezerva çdo nismë që ndihmon në integrimin e vendit në BE, por me largimin nga Shqipëria, duket se kjo forcë politike po bie në kontradiktë.
Veç kësaj, ajo që do të jetë interesante është fakti se kush do ta përfaqësojë PD-në në këto takime, duke qenë se kjo parti nuk ka as nënkryetar, pasi Basha ka pushuar si Topallin, ashtu edhe Patozin nga ky post. Që me emërimin e Bashës në krye të Partisë Demokratike, kjo forcë politike ka vijuar punën e saj politike me vetëm një kryetar të ligjshëm dhe me një ish-kryetar i cili ndihmon në drejtimin e partisë.
Por kjo ka sjellë problemin, se në mungesë të këtyre të dyve, nuk ka asnjë person që të përfaqësojë PD-në në takimet e ardhshme. Kësisoj, demokratët s'kanë se më kë të takojnë si presidentin e Italisë, ashtu edhe Komisionerin për Zgjerimin e BE-së. Por, nëse PD-ja do të zhvillojë ndonjë takim me Fylen apo me Napolitanon, do të dalë fare qartë se kush do të jetë në të ardhmen kupola drejtuese e demokratëve, pasi ata persona do të jenë të deleguar nga kryetari, për të përfaqësuar interesat e demokratëve në takimet me ndërkombëtarët.