A1 Report - Laç, i sëmuri mendor vret 2 vëllezër e plagos 2 kalimtarë

2015-08-21 8

LAÇ- Dy vëllezër janë vrarë në lokalin e tyre mëngjesin e sotëm në qendër të qytetit të Laçit, afër stacionit të autobusit.

Më pas autori, i cili sipas policisë së qarkut të Lezhës, ka probleme mendore, ka dalë jashtë lokalit dhe ka qëlluar në mënyrë të pakontrolluar duke plagosur edhe dy kalimtarë të rastit.

Sipas policisë viktimat janë Andrea e Endri Cara, përkatësisht, 27 dhe 30 vjeç ndërsa autori është Altin Piroli, 27 vjeç shok me viktimat. Të tre ishin nga fshati Zhej i rrethit të Kurbinit. Ndërkohë të plagosurit, Nikoll Ndoji dhe Tonin Gjini 24 dhe 22 vjeç janë sjellë në Tiranë në spitalin e traumës për mjekim më të specializuar. Mjekët thonë se njëri nga të plagosurit ka plagë në zonën e legenit ndërsa tjetri në krah. Ngjarja është shënuar mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00. Vrasja ndodhi në lokalin që ishte në pronësi të vëllezërve ku 27 vjeçari kishte hyrë për të pirë kafe. Autori ka qëlluar mbi vëllezërit dhe pasi ka zbrazur karikatorin ka dalë jashtë lokalit dhe rreth 50 metra më tutje ka rimbushur pistoletën dhe ka qëlluar në mënyrë të pakontrolluar. Të shtënat kanë ngjallur panik dhe qytetarët që kanë qenë aty janë munduar të largohen por plumbat kanë kapur dy kalimtarët.
Madje dëshmitarët tregojnë se autori i ka drejtuar pistoletën edhe policisë por fat të mirë pistoleta ka qenë bosh. Mbeten ende mister motivet e vrasjes, pasi autori dhe viktimat ishin fqinj dhe të tre vinin nga i njëjti fshat. Autori u arrestua disa metra larg vendit të ngjarjes dhe policia ka sekuestruar edhe dy pistoleta, si prova materiale.

Autori Altin Piroli dy vite më parë kishte plagosur djalin e xhaxhait të tij 13 vjeç dhe për këtë vepër penale ishte dënuar me 1 vit burg. Dënimin e kishte kryer në burgun e Shën Kollit në Lezhë. Ai njihej edhe si një person me rrezikshmëri të lartë, ndërsa viktimat nuk kishin deklaruar se kishin konflikte me të.

Free Traffic Exchange