TIRANE- Partia Demokratike nëpërmjet zërit të kryetarit Lulzim Basha ka vendosur se protesta është mjeti i zgjidhjes kundër arrogancës së qeverisjes së vendit. Ai kërkoi edhe anulimin e pasojave të aktit normativ dhe kthimin pa kushte të të larguarve nga administrata.
Para deputetëve të grupit PD Kryeopozitari në fjalët e tij tha se protestat e ndodhura kohët e fundit janë fakti, nga i cili opozita nuk mund të shmanget.
"Ka shumë e shumë motive që po ngrenë në këmbë protestuesit por kryefjala e protestave është puna. Qeverisë së shpunësimit dhe papunësimit masiv i ka dalë tepër populli i vet. Kjo është qeveria e shpunësimit masiv të Shqipërisë. Qeveria që ka premtuar 300 mijë vende pune është qeveria që është kampione në papunësimin e të rinjve."-tha Basha.
Sipas demokratit opozita e bashkuar ka vendosur që të kombinojë luftën parlamentare me forcën e protestave duke"ballancuar forcat e zhbalancuara në parlament".
TE LARGUARIT NGA ADMINISTRATA TE KTHEHEN PA KUSHTE
Basha kërkoi edhe anulimin e pasojave të aktit normativ dhe kthimin pa kushte të të larguarve nga administrata.
"Botimi në fletoren zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një akt rutinë, një detyrim. Mosbotimi është shkelje dhe e vullnetit të mbrapshtë mbi Kushtetutën dhe ligjin. Dhe botimi nuk nënkupton shprehje e vullnetit të mire. "Ajo që kërkojmë sot dhe do ta kërkojmë me forcë në aulën e Kuvendit dhe në të gjitha foltoret dhe sheshet e Shqipërisë në protestë, është anulimi i pasojave që ka krijuar zbatimi i aktit normativ antikushtetues, kthimin në punë pa kushte i të gjithë burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që janë hequr arbitrarisht me aktin antikushtetues, kthimin pa kushte të ligjshmërisë të sjelljes së qeverisë ndaj administratës publike", theksoi kreu i PD-së, Basha.