A1 Report - Te ardhurat ne dogana, Spiropali: Ne rritje edhe ne muajin shkurt

2015-08-21 1

TIRANE- Lufta ndaj korrupsionit dhe marrëdhënia e re e partneritetit të qeverisë me biznesin ka ndikuar në rritjen e të ardhurave në dogana. Këtë e ka shprehur Drejtoresha e Përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali, në një deklaratë për shtyp, duke shprehur se gjatë muajit shkurt janë arkëtuar rreth 1.2 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një vitit më parë.

Sipas drejtoreshës së Doganave "Administrata Doganore edhe në muajin Shkurt 2014 vijon përmirësimin e performancës së saj duke realizuar planin e të ardhurave për këtë muaj me 104%, duke arkëtuar 393 milionë lekë më shumë se plani i vendosur nga Ministria e Financave. Kështu nga 9 miliardë e 784 milionë lekë të planifikuara për t'u mbledhur gjatë këtij muaji, u arkëtuan 10 miliardë e 177 milionë lekë. Ndërsa gjatë muajit Shkurt 2013, u arkëtuan 8 miliardë e 989 milionë lekë".

Ndërkaq, Spiropali u ndal tek marrëveshja 3-vjeçare me FMN, duke u shprehur se ky fakt tregon besimin e partnerëve ndërkombëtare tek modeli i ri i qeverisë, si dhe tek performanva e sistemin fiskal në fushën e mbledhjes se te ardhurave.

"Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar aprovoi marrëveshjen 3-vjeçare me Qeverinë Shqiptare për mbështetjen e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit, marrëveshje qe parashikon mbështetjen e ekonomisë përmes angazhimit të rreth 457 milionë dollarëve. Miratimi i marrëveshjes është prova e pakundërshtueshme e besimit nga partneret ndërkombëtarë për modelin e ri ekonomik që kjo Qeveri solli, si dhe besimin tek performanca e sistemit fiskal në fushën e mbledhjes se te ardhurave, besim i krijuar pas skanimit që i është bërë sistemit fiskal në administrimin e ri. Më lejoni të theksoj që vetëm nga administrata doganore në 5-muajt e fundit ka arkëtuar 8 miliardë e 700 milionë lekë (84 mln USD) më shumë se e njëjta periudhë paraardhëse", tha Elisa Spiropali.

Më tej, drejtoresha e përgjithshme e Doganave premtoi arritje të tjera nga Administrata Doganore në mbledhjen e të ardhurave, por duke krijuar ndërkaq një klimë miqësore me biznesin.

"Vendosmëria dhe serioziteti në bërjen reformave, lufta kundër korrupsionit, dhe trafiqeve te paligjshëm, marrëdhënia e re e partneritetit me biznesin, ndalimi i kurbës rënëse në vjeljen e të ardhurave si dhe rritje e të ardhurave në këtë 5-mujor i krahasuar me të njëjtën periudhe paraardhëse kanë qenë disa nga provat e besimit të partnereve ndërkombëtare për këtë injeksion në ekonominë shqiptare. Administrata doganore është e vendosur të vazhdojë përmirësimin e performancës në mbledhjen e të ardhurave, luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal si dhe intensifikimin e partneritetit me komunitetin e biznesit", u shpreh Spiropali.