Ademi: Partitë e vogla të mbështesin BDI-në

2015-08-21 0

Bashkimi Demokratik për Integrim u bëri thirrje subjekteve më të vogla politike shqiptare që të kontribuojnë për faktorizimin e elementit shqiptarë në vend duke iu bashkangjitur BDI-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nga partia e Ahmetit pa modesti e konsiderojnë veten fituese të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por apeli i tyre ka për qëllim siç thonë ata fuqizimin e mandatit shqiptar dhe parandalimin e përçarjes së votës.

"Subjektet politike më të vogla shqiptare, duhet të analizojnë mirë veprimin e tyre të mëtutjeshëm. A do ti shërbejnë faktorizimit të votës dhe mandateve të shqiptarëve ose do të përçajnë votën shqiptare në favor të subjekteve politike maqedonase. Kur flitet për mandate më të fortë të shqiptarëve, kjo arrihet vetëm nëse përkrahet fuqishëm subjekti më i madh politik i shqiptarëve në Maqedoni", u shpreh Abdilaqim Ademi, Shef i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Edhe RDK-ja e Rufi Osmanit përmes një komunikate ka apeluar që thirrjes së Gruevskit për 62 deputetë, shqiptarët ti kundërvihen me lista të përbashkëta deputetësh.

"RDK përsërit qëndrimin e saj konzistent se përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit politik të Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DPMNE është gara e partive politike shqiptare me një listë të përbashkët të deputetëve që do siguronte nga 30-40 deputet shqiptarë dhe kështu ëndrra e VMRO-së do ishte një iluzion utopikë, ndërsa legjitimiteti i votës shqiptare i garantuar dhe i materializuar në dobi të shqiptarëve", thuhet në kumtesën e RDK-së.

Për shkak të daljes në zgjedhje me lista të ndara të disa partive shqiptare, numri i deputetëve shqiptarë u ul nga 29 në 25 në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2011. Benjamin Arifi