Analistët politik vlerësojnë se kryeministri Gruevski përmes apeleve të fundit për të fituar 63 mandate në parlament përpiqet të përsëris skenarin e vitit 2006-2008. Respektivisht, qeverinë e re të formojë jo domosdoshmërisht me partinë politike që do të fitojë besimin e shumicës tek elektorati shqiptar. Sipas Naser Zyberit, një situatë e tillë do të shndërronte në vazal partinë shqiptare në qeveri dhe do të nxite konflikt brenda shqiptarësh.
"Mundohet që pas zgjedhjeve të formojë qeveri me parti politike shqiptare e cila nuk është domosdoshmërish të jetë shumicë ne elektoratin shqiptar. Një situatë e tillë do të krijonte krizë brenda shqiptare sepse partia politike e cila nuk ka legjitimitetin e popullit shqiptar do të shndërroj në servilizëm në qeveri dhe do të shkaktonte konflikte brenda -shqiptare të cilat pastaj do të lenin pasoja si për stabilitetin politik brendashqiptar por edhe të Maqedonisë", deklaroi Naser Zyberi, analist.
Petar Arsovski nga ana tjetër thirrjet e tilla të Gruevskit i cilëson si blof dhe kërcënim ndaj partnerit të koalicionit BDI-së, por sipas tij një skenar i tillë nuk mund të përsëritet. Sipas tij madje VMRO bën marketing politik për të fituar më shumë vota.
"Kjo është e pamundur dhe paraqet blof politik. Skena politike e Maqedonisë evoluoi deri në atë shkallë që dy çështjet u mbyllën. E para, nuk mund të bëhen qeveri mono-etnike dhe e dyta se partneri shqiptar duhet të gëzojë besimin e shumicës së shqiptarëve. Asnjëherë nuk do të mund të kthehet ajo situatë në Maqedoni që një parti maqedonase pa pasur ndonjë krizë serioze politike të përfshijë në qeveri parti pakicë shqiptare. Prandaj kjo është retorik boshe, mbase kërcënim ndaj partnerit aktual të koalicionit apo pjesë e ndonjë matematike parazgjedhore por që nuk mund të realizohet në praktikë", tha Petar Arsovski, analist.
Për analistin Naser Zyberi praktika e ushtruar gjatë 50 viteve të monizmit kur partneri maqedonas zgjidhte funksionarët shqiptar për nga përshtatshmëria e tyre ka perënduar, dhe se çdo parti shqiptare e cila pa fituar legjitimitet pretendon të bëhet pjesë e ndonjë përbërjeje qeverisëse rrezikon të shndërrohet në vazal dhe të zhduket nga skena politike shqiptare. Semra Jakupi