LSDM-ja i kërkon ndryshime në Kodin Zgjedhor

2015-08-21 0

LSDM-ja pranon sfidën për pjesëmarrje në zgjedhjet e dyfishta, presidenciale dhe të parakohshme parlamentare, por kujton se Kodi Zgjedhor nuk parashikon zgjidhje për situata të tilla. Për këtë qëllim, LSDM-ja kërkon që qeveria të korrigjoj kodin zgjedhor për situata të tillë, si ai i realizimit të dy palë zgjedhjeve në të njëjtën ditë. Partia e Zaevit kërkon edhe zgjidhjen e problemeve që paraqiten në përmbylljen e Listës Zgjedhore, gjatë realizimit të fushatës zgjedhore dhe prezantimit mediatik. Sipas Kodit aktual Zgjedhor, shkurtohet mundësia e fushatës zgjedhore dhe asaj mediatike për më shumë se 2/3-at e kohës së parashikuar me ligj. Nëse nuk rregullohen këto tre çështje, atëherë do të shkaktohet kaos.

"Për shkak të përputhjes së zgjedhjeve parlamentare me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, do të ekzistojnë dy data të ndryshme për mbylljen e listës zgjedhore. Kjo krijon mundësinë që më 27 prill, në vendvotime të kemi dy lista zgjedhore me përmbajtje të ndryshme. ..Sipas Kodit Zgjedhor nga përcaktimi i listave të kandidatëve deri në fillim të fushatës, nuk guxon të ketë aktivitete për promovim të kandidatëve apo politikave të pjesëmarrësve në fushatë. Në këtë situatë, listat për zgjedhje parlamentare do të përcaktohen gjatë fushatës për zgjedhje presidenciale, gjë që mund të çojë në ndërprerje të fushatës deri më 6 prill, kur edhe fillon fushata për zgjedhjet parlamentare", u shpreh Renata T. Deskoska, LSDM.

Grupi i punës i përbërë nga përfaqësues të subjekteve politike, me përjashtim të PDSH-së, në ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor anashkaluan pjesën e votimit të diasporës me marrëveshje që kjo të ndodhë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, sa herë që mbahen ato. Kjo dispozitë përbënte edhe rekomandim të OSBE-ODIHR-it për barazimin e votës së deputetëve në vend dhe diasporë. Gjyltene Rexhallari