Në zgjedhjet presidenciale më 13 prill pritet të garojnë 4 kandidatë, 3 prej të cilëve profesorë dhe një politikan. Afati për mbledhjen e 10 mijë firmave të nevojshme skadon sonte në mesnatë, dhe aktualisht firmat i kanë grumbullojnë tre kandidatët; Iljaz Halimi i PDSH-së, presidenti aktual Gjorge Ivanov si kandidat i VMRO DPMNE-së dhe Zoran Popovski, kandidat i partisë "Grom" të Stevçe Jakimovskit. Mbi 20 mijë firma janë mbledhur për presidentin Gjorge Ivanovin vetëm gjatë ditës së djeshme, menjëherë pas Konventës së VMRO DPMNE-së, njoftojnë nga kjo parti.
"Për më shumë se 2 orë, mbi 20 mijë qytetarë tashmë kanë dhënë nënshkrimin e tyre për kandidaturën e Gjorge Ivanovit në njësitë rajonale të KSHZ-së. VMRO DPMNE-ja është parti popullore ndaj vlerëson lartë mbështetjen e qytetarëve për kandidatin Gjorge Ivanov. Ky është vetëm një nga hapat më të rëndësishëm në procedurën për zgjedhje të kandidatit për president të Maqedonisë", u shpreh Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.
Ndaj kësaj mënyre të mbledhjes së firmave nga ana e VMRO DPMNE-së ka reaguar partia VMRO Popullore duke thënë se fotografia e djeshme flet për dërgim të dhunshëm të qytetarëve për të mbështetur kandidaturën e Ivanovit pas së cilit fshihet kërcënimi për largim nga puna. Sipas tyre nga skenat e djeshme vërehej tmerr në sytë e qytetarëve të cilët ndiheshin të nënçmuar, të pikëlluar dhe me dinjitet të shkelur. Ka reaguar edhe LSDM duke e quajtur këtë veprim, si cirk të thjeshtë. Nga partia e Zaevit theksuan se kandidaturën e Stevo Pendarovskit do ta mbështesin 30 deputetë.
"Ajo është çështje e absorbuar dhe është thënë se do të kandidohet me nënshkrimet e deputetëve... Duke parë fotografitë e ushtarëve partiakë të mbledhur dhe keqtrajtuar edhe gjatë ditës së sotme në mot të papërshtatshëm të dalin dhe të hedhin firmën. Kam përshtypje se ai është vetëm një cirk i thjeshtë me të cilin dëshirohet të tregohet se presidenti aktual gëzon edhe mbështetjen e qytetarëve", tha Renata T. Deskoska, LSDM.
Edhe PDSH-ja, përmes një komunikate njofton se firmat e nevojshme për kandidatin e saj Iljaz Halimi janë mbledhur brenda një dite duke tejkaluara numrin e nevojshëm të nënshkrimeve.
"Partia Demokratike Shqiptare, më 1 mars filloi tubimin e nënshkrimeve për kandidatin e vetëm shqiptar, profesorin Iljaz Halimi, për këto zgjedhje presidenciale. Brenda ditës, deri në orën 17:00, kandidati i PDSH-së arriti të tubonte dhe tejkalonte numrin e nënshkrimeve të parashikuara me ligj", thuhet në komunikatën e PDSH-së.
Firmat e nevojshme nuk arritën t'i mblidhnin profesorja Biljana Vankovska dhe kreu i partisë "Dinjiteti" Stojanco Angellov. Dorëzimi i listave të kandidatëve për zgjedhjet presidenciale mbyllet 30 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, pra më 13 mars ndërsa shorti për renditjen e kandidatëve në listën e votimit hidhet më 17 mars. Gjyltene Rexhallari