TIRANË- Pa u qetësuar ende zhurma e protestës së shoferëve të furgonëve 8+1, drejtuesit e autobusëve dhe taksive 4+1 paralajmërojnë se do të dalin në protestë për të detyruar qeverinë, që të mos tërhiqet nga rruga e nisur.
Federata e Sindikatave të Transporteve, ku bëjnë pjesë drejtuesit e taksive dhe të autobusëve, mbështet reformën e njoftuar nga qeveria në sektorin e transporteve, duke paralajmëruar se nëse nuk zbatohet ligji ekzistues, atëherë edhe ata me mjetet e tyre do të paralizojnë transportin në rang kombëtar.
Aktualisht transporti ndërurban në vend është në kaos, si pasojë e heqjes nga funksionimi të furgonëve taksi 8+1 të cilët gjatë këtyre kohëve kanë punuar duke u bërë konkurrencë të pandershme autobusëve. Shoqata e Transportit Ndërqytetas kërkon nga qeveria vetëm që të garantojë zbatueshmërinë e ligjit në sektorin e transportit publik.