KORCE- Orges Metko kishte menduar se i kishte larë hesapet me drejtësinë për ngjarjen në të cilën ishte përfshirë kur ishte ushtar. Pasi kishte kryer dënimin me 9 vjet burg, i ishte rikthyer jetës normale në fshatin Selenicë të Kolonjës, madje pas disa muajsh do të martohej, kur policia është shfaqur në banesën e tij për ti vënë prangat, si person në kërkim.
Sipas policisë ndaj 31 vjeçarit ekziston një vendim i Gjykatës së Lartë i cili e dënonte edhe me 8 vjet burg të tjera për ngjarjen e ndodhur 11 vjet më parë.
VRASJA KUR ORGESI ISHTE USHTAR
Ngjarja e ka zanafillën në vitin 2003 kur Metko ishte vetëm 18-vjeç. Teksa po kryente shërbimin ushtarak në Drenovë , Metko me armën e tij qëllon mbi një tjetër ushtar Ilia Pojani duke i shkaktuar atij vdekjen. Sipas të dhënave të asaj kohe mbi ngjarjen Metko kishte si detyrë qëndrimin në vendrojen numër 1 por pa asnjë lloj leje ai është larguar nga ky vendqëndrim dhe ka shkuar në tualetin e repartit ku përballë ka qenë Ilia Pojani, një i ri i cili kishte detyrën e përgjegjësit të ndërtesës. Sipas prokurorisë e cila ka pretenduar se kemi të bëjmë me një vrasje me dashje, Metko ka mbështetur armën në gjoksin e viktimës dhe i ka qëlluar atij duke i marrë jetën . Ky version është mohuar nga vetë autori dhe mbrojtja sipas të cilëve ngjarja ka qenë aksidentale dhe ka ardhur si një pakujdesi e Metkos i cili e ka pasur armën të mbushur dhe në momentin që ka shkuar në tualet është gjendur përballë Ilia Pojanit dhe ai e ka prekur pa dashur duke shkaktuar shkrepjen e armës.
HABIA
Pasi fillimisht u dënua me 21 vite burg nga gjykata e shkallës së parë, Metko iu drejtua Apelit i cili ia uli dënimin me 9 vite burg. Pasi kreu dënimin ai kthehet në fshat për të rinisur jetën.
Gjatë kësaj kohe, kanë kaluar 4 vjet nga data e lirimit të tij, Prokuroria kishte bërë rekurs të vendimit të gjykatës së Apelit në Gjykatën e Lartë e cila kishte ndryshuar veprën penale nga "Vrasje aksidentale" në "vrasje me dashje" dhe e kishte dënuar me 17 vjet.
Tani Orgesi është rikthyer në qeli për të kryer dënimin e mbetur. Familjarët kanë shfaqur habi madje thonë se ata nuk ishin fare në dijeni që çështja kishte shkuar për gjykim në Gjykatën e Lartë. I riu edhe njëherë i është rikthyer burgut ndërkohë që familjarët dhe të afërmit kanë apeluar për këtë padrejtësi. "Është skandal. Për gjykimin në Gjykatën e Lartë nuk jemi njoftuar as ne por as avokati" thotë Shkëlqim Mele, daja i 31 vjeçarit.