"Urdhëroni, kontributin që e kanë bërë njerëzit e tanë, komuniteti jonë në Çikago, ja tani erdhi një moment që t'ua dorëzojmë, urdhëroni zonjë...".
Emisioni "Zgjatma dorën" në Alsat ka zgjuar interesim edhe tek bashkatdhetarët në SHBA, të cilët dëshirojnë që të ndihmojnë rastet e ndryshme të prezantuara në këtë emision. Këshilli i qendrës shqiptaro-amerikane islame në Çikago ka ndihmuar me 6 mijë dollarë dy vjeçarin Sali Esati nga fshati Llopat i Kumanovës i cili ka nevojë të kryej edhe dy operacione për tu ngritur në këmbë.
"Në komunikim të përhershëm atje, në veçanti me z.Azemin brenda një kohë të shkurtë, 2 muaj u bë një kontribut i madh i komunitetit tonë atje që sot në jemi të gatshëm këtu që kësaj familje t'ia dorëzojmë 6.032 dollarë amerikanë. Faktikisht kjo është një punë e juaja, e Alsatit që me të vërtet ju përgëzoj për punën që e bëni, është një punë humane", tha Ismail Xheladini, organizator i aksionit humanitar.
Ndërkohë Habibja, nëna e Saliut shprehe falënderime ndaj gjithë atyre që ndihmuan për shërimin e vogëlushit. Ajo tha se Saliu veç më kishte kaluar operacionin e parë ku dhe janë shfaqur rezultatet e para pozitive.
"Të parin operacion e ka kry tash është me këto këpucë që ja ka dhënë mjeku, këpucë speciale, me këto mirë është ama pa këto edhe nuk mundet me ec, tani për tani mirë është tu kaluar. Ka tre muaj që e ka kryer operacionin e parë, pas tre muajve duhet ta kryej edhe operacionin e dytë. Na kanë garantuar edhe besoj që do të bëhet mirë", u shpreh Habibe Esati, nëna e Saliut
Sipas familjes Esati, shuma e të hollave të mbledhura deri më tani do të jetë e mjaftueshme për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale të radhës. Rasti i Saliut të vogël u transmetua kohë më parë në Alsat ku u shfaqën problemet shëndetësore të Saliut 2 vjeçar i cili për shkak të pengesave në zhvillimin normal të këmbëve nuk mundë të lëviz njëjtë sikurse bashkëmoshatarët e tij. Melihate Rustemi