Osmani: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë lojë politike

2015-08-21 0

'Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë lojë e partnerëve të koalicionit qeveritarë', kështu shprehet zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani duke e argumentuar këtë me kronologjinë e ngjarjeve politike të vitit të kaluar. Osmani me këtë rast përkujtoi deklaratën e kryeministrit Gruevski dhënë më 24 gushtit të vitit të kaluar, i cili kërkoi që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare si alternativë të zhbllokimit të krizës politike në vend të krijuar me ngecjen e punë së grupit punues për zbatimin rekomandimeve të komisionit ad-hok, për ngjarjet e 24 dhjetorit. Propozim ky i cili u refuzua nga ana e BDI-së nën arsyetimin se zgjedhjet nuk janë zgjidhje.

"Në rast se ju kujtohet vitin e kaluar kishte një thirrje publike prej kryeministrit Gruevski për zgjedhje të parakohshme për më 13 tetor, ju e dini se asokohe BDI refuzoi dhe pengoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, sepse ishim të bindur se duhet të lihet hapësirë për të fokusuar energjinë për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe për të lëvizur integrimet tutje, dhe atëherë publikisht thamë se do të shqyrtojmë këtë mundësi me zgjedhjet presidenciale, nëse deri atëherë nuk do ketë një lëvizje përpara dhe eventualisht cili do të jetë epilogu për idenë tonë se Maqedonia duhet të ketë presidentin e parë konsensual", u shpreh Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Gruevski më 24 gusht të vitit të kaluar, kishte kërkuar që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare për zhbllokimin e krizës politike por një kërkesë e tillë ishte refuzuar nga BDI-ja.

"Menjëherë, të hënën në seancë urgjente, me vendim të Parlamentit, të shpallim zgjedhje të parakohshme parlamentare. Me këtë rast, propozojmë që nesër të nënshkruajmë dy versionet e kualifikimeve juridike në raportin. Njëri që do të jetë në pajtim me qëndrimin e VMRO-DPMNE-së, dhe në të, të shkruhet se është i vlefshëm vetëm nëse në zgjedhjet e 13 tetorit VMRO-DPMNE-ja fiton më shumë vota se LSDM-ja, si dhe i dyti, që do të përmbajë kualifikimet juridike që preferon LSDM-ja dhe ku të shkruhet se ai është i vlefshëm dhe i plotfuqishëm, nëse në ditën e zgjedhjeve të parakohshme më 13 tetor, LSDM-ja fiton më shumë vota se VMRO-DPMNE-ja", deklaroi kohë më parë Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Nga BDI-ja thonë se sikur të bëhej fjalë për lojëra politike mes partnerëve të koalicionit qeveritar zgjedhjet do të pranoheshin atëherë dhe jo tani. Nga kjo parti mbeten në qëndrimin se kërkesa ka të bëjë me nevojën e arritjes së një marrëveshjeje të re për bashkëqeverisjeje për të ndryshuar kushtetutën lidhur me mënyrën e zgjedhjes së presidentit dhe zhbllokimin e procesit integrues. Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti në emisionin 'Rruga Drejt' tha se në shtator vendi mund të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse nuk zhbllokohet në veçanti procesi eurointegrues. Bedri RExhallari

Free Traffic Exchange