A1 Report - Ahmetaj: Kredia e FMN-se prove besimi per qeverine Rama

2015-08-21 0

TIRANE- Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj deklaron se miratimi i marrëveshjes për dhënien e kredisë nga FMN është provë e besimit nga partnerët ndërkombëtarë për modelin e ri ekonomik që qeveria po i jep vendit.

"Lufta pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar më në fund zhbllokoi ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ka nisur rilindja ekonomike e Shqipërisë"- tha Arben Ahmetaj sot në një prononcim për median nga ministria.

Ahmetaj vlerëson se marrëveshja është hap i rëndësishëm që do të ndiqet nga të gjitha masat e nevojshme që kjo qeveri ka premtuar "për të rikthyer rritjen ekonomike të vendit dhe shëndetshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe besimin sipërmarrjes shqiptare"

Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi dhënien e huasë prej 330.9 milionë euro për Qeverinë shqiptare, e cila do të jepet me këste për një periudhë 3-vjeçare.
Vendimi është marrë nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së, gjatë mbledhjes të zhvilluar ditën e djeshme në Washington. Burime zyrtare bëjnë të ditur se gjatë takimit nuk ka qenë i pranishëm asnjë zyrtar shqiptar. Në bazë të këtij vendimi, FMN-ja do të lëvrojë menjëherë nga kjo hua për Qeverinë shqiptare, shumën prej 26.4 milionë euro. Ndërkaq, në këtë kuadër priten fonde të tjera nga Banka Botërore dhe Bashkimi Europian.