FUSHE-KRUJE- Një tjetër shpërthim automjeti ka tronditur kësaj here Fushë-Krujën. Një automjet i parkuar para një pallati në lagjen "Punëtori" në Fushë-Krujë ka shpërthyer, pasi i është vendosur eksploziv. Nga shpërthimi i ndodhur rreth orës 20:00 mësohet se nuk ka të lënduar.
Lënda eksplozive dyshohet se është hedhur mbi kabinën e makinës, e cila si pasojë e shpërthimit ka pësuar dëme të konsiderueshme.
Automjeti i shpërthyer tip "Fiat Punto", ngjyrë blu me targa AA052FD, mësohet se ishte në pronësi të shtetases Mimoza Isufi, e cila ka punuar si rrobaqepëse. Nisur nga ky fakt dyshohet se autorët mund të kenë ngatërruar objektiv.
Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar edhe një tjetër automjet që ndodhej ngjitur. Ndërkaq, dëme kanë pësuar edhe xhamat e pallateve.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve.