VLORE- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka parë nga afër vënien në eficencë të një prej radarëve që monitorojnë hapësirat detare në vijën bregdetare të Vlorës. E shoqëruar edhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes dhe përfaqësues të Flotiljes Detare, Kodheli inspektoi një prej radarëve të instaluar në ishullin e Sazanit, që sipas Kodhelit kishte 2 vjet që nuk funksiononte. Ministrja tha se Shqipërisë tashmë i janë hapur sytë, për më shumë siguri në vend dhe në bregdet.
"Një ndër radarët i cili është vënë në funksionim pas 2 vjetësh është pikërisht ky në ishullin e Sazanit. Kemi ardhur të shohim dhe të verifikojë situatën dhe besoj që gjërat janë duke u përmirësuar, po shkojnë në drejtimin e duhur. Ne jemi këtu padyshim për ta siguruar këtë për të gjithë ju qytetarët shqiptare. Është shumë e rëndësishme siguria e vendit, është shumë e rëndësishme siguria e bregdetit", tha ministrja Kodheli.
Kodheli u ndal gjithashtu dhe në domosdoshmërinë për ta kthyer ishullin e Sazanit në një pikë të rëndësishme turistike.
"Është shumë e bukur që diçka e përdorur, e betonizuar për arsye ushtarake të kthehet në një vend të mirë ,të dashur, të pastër për turizmin dhe turistët. Ka nevojë për një plan zhvillimi, ka nevojë për investime, ka nevojë për pastrime", tha ministrja Kodheli.
Në Vlorë janë në funksion 6 radarë që do të shërbejnë për të rritur sigurinë në vijën bregdetare, si dhe do të parandalohen trafiqe të ndryshme, apo do kryhet verifikimin e anijeve të peshkimit, sidomos kur janë në vështirësi.