Masa arresti 30 ditë paraburgim iu caktoi sot Prokuroria Publike, 7 personave të arrestuar një ditë më parë, në operacionin policor për vjedhje të artefakteve nga Muzeu i Maqedonisë. Nga Prokuroria thonë se vendimin vjen pas marrjes në pyetje të 6 prej të ndaluarve. Vetëm njëri pranoi të mbrohej në heshtje. Ish drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Pasko Kuzman mbetet në arrest shtëpiak për shkak të rastit "Falanga".
"Ligji, në raste të tilla nuk lejon dyfishim të masave të sigurisë, por kjo nuk do të thotë se kundër tij, Prokuroria themelore Publike në Shkup, lidhur me dyshimet që ka, të mos ndërmarrë procedimin e hetimeve", tha Gordana Geshovska, Prokuror Publike.
Gjatë bastisjeve janë gjetur sende me vlerë, madje numri i monedhave dublikate mendohet të jetë dhjetëra herë më i lartë:
"Gjatë bastisjes së dhomës së punës dhe zyrës në Muzeun e Maqedonisë që përdornin dy nga të ndaluarit, janë gjetur gjithsej 29 472 monedha, kurse gjatë kontrollit në librin e inventarit është vërtetuar që në vitin 1997 janë regjistruar gjithsej 3 323 monedha", u shpreh Gordana Jankullovska, ministre e Brendshme.
Sot, vulë në kyç iu vendos edhe derës së Muzeut të Ohrit, përfaqësues i të cilit është deklaruar Pasko Kuzman, edhe ai i dyshuar se ka tërhequr sende për të cilat ka përgatitur kopje. Gjatë përpjekjes për t'i kthyer, ai nuk i ka sjellë të gjitha sendet e marra. Bojana Simonoviq