Iniciativa për shpërndarjen e Kuvendit, të hënën?

2015-08-21 4

BDI-ja nuk e ka dorëzuar ende në Kuvend iniciativën për shpërndarjen e tij. Ermira Mehmeti paralajmëroi se iniciativa do të dërgohet ditët e ardhshme. Jo zyrtarisht, mësojmë se BDI-ja pret epilogun e mbledhjes së Këshillit Ekzekutiv të VMRO DPMNE-së i cili mblidhet sonte, dhe ku pritet të shqyrtojë edhe nismën e fundit të BDI-së.

"Vlerësimi paraprak është që iniciativa për shpërbërjen e kuvendit të dorëzohet në kuvend gjatë ditëve në vijim... Kemi vlerësuar se grupi parlamentar i BDI-së duhet të propozoj shpërndarjen e kësaj përbërje parlamentare si mënyrë për të shkuar drejtë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për t'i dhënë një mundësi rifreskimit të skenës politike dhe natyrisht krijimit të mundësive të reja për sfidat politike të cilat e presin vendin qoftë në planin e brendshëm , qoftë edhe në atë ndërkombëtarë në periudhën që vjen", tha Ermira Mehemti, BDI.

Nga VMRO DPMNE-ja shprehen se nisma e BDI-së për shpërndarjen e Kuvendit i ndryshon rrethanat politike, dhe është moment i ri në të ashtuquajturën atmosferë parazgjedhore. Megjithatë sipas Milloshoskit VMRO DPMNE-ja është gjithmonë e gatshme për çdo sfidë zgjedhore.

"VMRO DPMNE-ja përgatitet për zgjedhjet presidenciale dhe për të gjitha veprimtaritë që nënkuptojnë fushatë zgjedhore. Nuk i kishim prioritet zgjedhjet e tjera përveç atyre presidenciale, por kemi theksuar se si parti, jemi të gatshëm, kemi kapacitetet që t'i përgjigjemi çfarëdo sfide zgjedhore, pavarësisht a bëhet fjalë për presidenciale, të parakohshme parlamentare apo zgjedhje lokale", deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO DPMNE.

Partia më madhe opozitare, LSDM-ja shprehet se aktorë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare janë vetë partnerët qeveritarë.

"Do të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme parlamentare, nuk varet nga LSDM-ja. Atë vendim duhet ta marrin partnerët e koalicionit qeveritar në pazarllëqet mes tyre. Kur të thonë se do të ketë iniciativë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të shohim kush do ta parashtrojë, kur dhe pse, atëherë do të marrim edhe ne vendimin tonë", u shpreh Damjan Mançevski, LSDM.

Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, rreth iniciativës për shpërndarjen e Kuvendit, deputetët kanë të drejtë të debatojnë tre ditë dhe më pas të prononcohen "pro" apo "kundër". Bedri Rexhallari

Free Traffic Exchange