A1 Report - DASH: Sulmet ne Siri, horror i nje lufte kunder njerezimit

2015-08-21 2

WASHINGTON- Një raport global për të drejtat e njeriut i publikuar nga Departameti Amerikan i Shtetit ka veçuar luftën civile në Siri si një tragjedi që qëndron mbi të tjerat për sa i përket sferës dhe kostove njerëzore të saj.

Sipas SHBA, sulmi me armë kimikë në Siri, nga i cili humbën jetën 1,429 persona ishte një nga horroret e shumta të luftës në vend. Raporti i përvitshëm i Departamentit amerikan të Shtetit gjithashtu nënvizon shtimin e sulmeve mbi protestuesit dhe grupeve të shoqërisë civile në vende të ndryshme të botës.

Në raport citohen persekutimet zyrtare të disidentëve në Ukrainë, Venezuelë, Turqi dhe në Kinë, gjatë vitit 2013. I njohur ndryshe si Raporti i Shteteve mbi Praktikat e të Drejtave të Njeriut, raporti përfshin akuza ndaj vendeve të tjera në të gjithë botën. Por dënimi më i ashpër shkon për qeverinë siriane, ku më shumë se 100 mijë njerëz u vranë dhe miliona të tjerë u detyruan të largohen nga vendi, që prej fillimit të luftës civile në mars të vitit 2011.

Në raport citohet sulmi me armë kimike të 21 gushtit të vitit 2013 mbi Ghouta, rajon në periferi të Damaskut, si një nga horroret e shumta në një luftë civile të mbushur me krime kundër njerëzimit. Duke nisur nga torturat dhe vrasjeve të të burgosurve, deri te shënjestrimi i civilëve me fuçi eksplozivësh dhe raketa Scud.

Pas publikimit të raportit, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry dënoi qeverinë ukrainase dhe ish-presidentit Janukoviç për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, ku rreth 100 persona mbetën të vdekur që prej fillimit të protestave në muajin nëntor të vitit të kaluar. Ai gjithashtu kritikoi qeverinë Venezueliane për mësymjen ndaj protestave anti-qeveritare ku humbën jetën dhjetëra persona.