TIRANE- Një 30 vjeçare 13 javëshe shtatëzënë humbi jetën nga gripi i derrit. Ministria e Shëndetësisë deklaron se pacientja I.M humbi jetën dje në pavionin e terapisë intensive të "Shefqet Ndroqit".
Pacientja I. M., 30 vjeç nga rrethinat e Fierit ishte shtruar më 25 shkurt në Sanatorium dhe ndërroi jetë dy ditë më pas. Përveç infektimit me virusin e gripit të derrit 30-vjeçarja ishte diabetike e tipit të I-rë Insulinovartëse,duke e rënduar gjëndjen e saj shëndetësore.
"Meqënëse pacientja kishte pasur shenja të shfaqjes së sindromës së insufiçencës akute respiratore dhe dyshime të prekjes nga gripi, i janë marrë mostra nazofaringeale në mëngjesin e datës 25/02/2014, të cilat janë dërguar sipas procedurës standarte në laboratorin virologjik në Institutin e Shëndetit Publik për evidentim dhe tipizim të virusit të gripit. Në shërbimin e reanimacionit të Spitalit Universitar "Shefqet Ndroqi", pacientja ka marrë trajtim intensiv përfshirë edhe ventilim mekanik. Në paraditen e datës 27/02/2014 pacientja ka ndërruar jetë. Në pasditen e datës 27/02/2014 nga përgjigjet rezulton se pacientja ka qënë pozitive me virusin A/H1 pdm09."- sqaron ministria e Shëndetësisë.