A1 Report - Opozita braktis seancen, Meta: Po beni antimiting ndaj Bashes

2015-08-21 1

TIRANE-Opozita u largua nga Kuvendi pas një debati më shumë se dy orësh ku akuzoi mazhorancën se ka vendosur në Parlament antikushtetutshmërinë.

Gjatë qëndrimit në Kuvend salla e parlamentit u ndez sërish në debate mes opozitës dhe mazhorancës. Demokratët vijuan të kërkojnë kthimin e kushtetueshmëri së Kuvendit, sipas tyre të thyer me shkarkimin e kryeinspektores Zana Xhuka. Para largimit nga salla deputetët e PD-së goditën tavolinat, me qëllim që të mos lejonin deputetët e mazhorancës të merrnin fjalën. Kreu i Parlamentit i tha se "ata mund të protestonin por jo të prishnin kompjuterat e sallës së Kuvendi"

Kryetari i Parlamentit, Meta ironizoi qëndrimet e sotme në Kuvend të deputetëve PD duke thënë se ata po mbanin një antimiting ndaj Bashës pasi ky i fundit nuk i lejoi të flisnin në protestën e 20 shkurtit para Kryeministrisë.

"E kuptoj që keni ardhur për antimiting që e keni për kryetarin e partisë tuaj që nuk ju dha fjalën te sheshi. Më gjeni mua tolerant e vini këtu të shkelni rregulloren.Mitungu i javës së kaluar ishte vërtet unik sepse për herë të parë nuk foli asnjë deputet i PD-së. Nëse ju duket normale kjo?! " - tha Meta.

"Nuk bëjmë antimitingje por mbrojmë të drejtat e qytetarëve"- u përgjigj kreu i grupit PD, Edi Paloka.

Deputeti i PS-së Erion Braçe tha se ekonomia është e zaptuar nga sekserët e Sali Berishës dhe ky i fundit duket të gjykohet në Hagë si Janukoviç.

Meta informon se presidenti italian, Napolitano do të vizitojë Tiranën më 4-5 mars. Ndërkohë jashtë Parlamentit të larguarit nga administrata protestuan kundër shkarkimit të tyre. Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli kërkoi të lejohen të hyjnë brenda në seancë protestuesit.

Në fund të seancë u miratua me 74 vota pro pr.ligji «Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Vjenës "Për të drejtën e traktateve midis shteteve dhe organizatave ndërkombëtare ose midis organizatave ndërkombëtare", 1986" .

Me 77 vota pro u miratua Ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e "Programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare".